Taksë për ruajtjen e bletëve

Qeveria e Maqedonisë së Veriut synon të vendosë tatime për bletarët, respektivisht për çdo koshere do të duhet të paguajnë nga 0.3 denarë të pagës mesatare, e cila sillet në rreth 480 euro, thonë për Radion Evropa e Lirë, përfaqësuesit e shoqatave të bletarëve, Driton Dikena dhe Igor Ilkov.

Sipas tyre, kjo parashihet me projektligjin për kullotat, i përgatitur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, përkatësisht në nenin 23 të këtij propozimi, që është publikuar në regjistrin kombëtar të rregulloreve për debat publik.

Propozimi ende nuk ka marrë formën e prerë, ndërsa me të parashikohet të rregullohet “procedura për dhënien e kullotave, inventarizimin dhe bonifikimin e tyre, rregullimin e punës dhe organizimin e kullotave”.

Nga Ministria e Bujqësisë, kanë thënë se “propozimi është në fazën e debatit dhe nuk do të thotë se është edhe përfundimtar, pasi do të veprohet varësisht vlerësimeve që mund të dalin nga debati publik”.

Driton Dikena, kryetar i shoqatës “Qyteti i Bletëve”, që përfaqëson bletarët e pjesës perëndimore të Maqedonisë së Veriut, thotë se vetë ideja për miratimin e një ndryshimi të tillë në ligjin për kullosat është absurd, pasi në vend se bletarët të stimulohen për punën që bëjnë, këtu ndodhë e kundërta, shteti synon nga ta të vjelë taksa.

“Janë bletët që mbajnë gjallë biodiversitetin dhe kjo është arsyeja që shtetet e zhvilluara, që u japin një peshë shumë të rëndësishme njerëzve që ruajnë bletët, për shkak se ato ndihmojnë në ruajtjen e biodiversitetit dhe shumëllojshmërinë e produkteve ushqimore që ne konsumojmë. Te ne ndodh e kundërta, shteti na vendosë tatime ndërsa bujqit me përdorimin e tepërt, të pakontrolluar dhe jashtëligjor të pesticideve, herbicideve dhe insekticideve dëmtojnë bletët tona”, thotë Dikena.

Igor Ilkov, bletar nga qyteti i Gjevgjelisë, thotë se me vendime të tilla absurde nga ana e institucioneve, bletaria në Maqedoninë e Veriut shumë shpejt do të zhduket.

“Kjo është një goditje e rëndë për ne bletarët. Në vend se të na ndihmojë, shteti po synon të vendosë tatime edhe në këtë veprimtari. Ne, në vend që të shpërblehemi për mbrojtjen e natyrës dhe të shumëllojshmërisë, ne po dënohemi me të dhëna të reja. Pa bletët, natyra nuk do të kishte kuptim, nuk do të mund të ruhej dhe zhvillohej, por këtë shteti nuk e merr parasysh”, thotë Ilkov.

Ngjashëm mendon edhe bletari Driton Dikena, sipas të cilit bletaria në Maqedoninë e Veriut do të shkojë drejt zhdukjes nëse shteti ndërhyn me taksa. Ai tërheq vërejtjen edhe nga helmimi i bletëve nga bujqit dhe heshtjen e institucioneve ndaj një fenomeni të tillë./REL