Paqartësi për bisedimet SHBA-Iran, Trump: Pa marrëveshje, të mërkurën nisin bombat! Teherani: S’pranojmë negociata nën kërcënime

Ndërsa koha po mbaron për armëpushimin e shpallur mes SHBA-ve e Izraelit me Iranin, ende nuk ka konfirmim për bisedime të mëtejshme paqeje.

Kryetari i parlamentit iranian ka postuar në X duke thënë se Irani “është përgatitur për të treguar karta të reja në fushën e betejës” dhe se “nuk do të pranojë negociata nën hijen e kërcënimeve”.

“Trump, me vendosjen e bllokadës dhe shkeljen e armëpushimit, synon, sipas tij, ta shndërrojë këtë tryezë negociatash në një tryezë dorëzimi ose të justifikojë një valë të re provokimesh ushtarake. Ne nuk pranojmë negociata nën hijen e kërcënimeve dhe gjatë dy javëve të fundit jemi përgatitur për të zbuluar karta të reja në fushën e betejës”, tha Mohammad-Bagher Ghalibaf.

Kjo është një përgjigje për deklaratën e presidentit Donald Trump se “pa marrëveshje deri të mërkurën, rinisim sulmet.”

Pak më parë, Trump ka postuar në Truth Social, duke iu referuar rikuperimit të uraniumit të përpunuar nga Irani.

“Operacioni Midnight Hammer ishte një shkatërrim i plotë dhe total i objekteve bërthamore në Iran. Prandaj, nxjerrja e tij do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë,” shkroi presidenti.

Operation Midnight Hammer është emri i koduar për një operacion të kryer nga SHBA qershorin e kaluar, gjatë të cilit 125 avionë ushtarakë amerikanë goditën tre objekte bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Isfahan.

Më pas, presidenti sulmoi mediat si CNN duke shkruar:

“CNN i lajmeve të rreme dhe rrjete të tjera mediatike dhe platforma të korruptuara nuk u japin meritat që u takojnë aviatorëve tanë të shkëlqyer gjithmonë përpiqen të përçmojnë dhe të ulin vlerën – dështakë!!!”

Ndërkohë, ai ka mohuar se është nën presion për të arritur një marrëveshje, ndërsa mediat amerikane raportojnë se zv/presidenti JD Vance po udhëton drejt Pakistanit. Trump shton se është “shumë e pamundur” që armëpushimi dyjavor mes SHBA-ve dhe Iranit, i cili skadon të mërkurën, të zgjatet.

Në Gjirin Persik, SHBA vazhdon të bllokojë Ngushticën e Hormuzit pasi ka sekuestruar një anije mallrash me flamur iranian të dielën, dhe të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

Ndërkohë, një raund i dytë bisedimesh mes Izraelit dhe Libanit pritet të zhvillohet të enjten, sipas një zyrtari amerikan.

Lajm në përditësim…