Paketa e madhe e ndihmës do të kalojë në Kongresin amerikan – çfarë përfitojnë Ukraina dhe Izraeli

Një paketë e madhe ndihme amerikane me vlerë 95 miliardë dollarë pritet të kalojë sot pas muajsh grindje politike në Uashington.

Bëhet e ditur se paketa do të ndajë mbështetje për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.

Ndërsa pjesa më e madhe e fondeve janë të rezervuara për Ukrainën, një total prej 26.38 miliardë dollarësh do të ndahen për Izraelin dhe për të rimbursuar operacionet ushtarake të SHBA-së.

Siç raportohet, rreth 5.2 miliardë dollarë do të shkojnë për rimbushjen dhe zgjerimin e sistemit të mbrojtjes raketore të Izraelit, me 3.5 miliardë dollarë për blerjen e sistemeve të avancuara të armëve, shkruan skynews.

Një tjetër miliard do të përdoret për prodhimin e armëve dhe 4.4 miliardë të tjerë për të rritur furnizimet dhe shërbimet e tjera që i ofrohen Izraelit.

Gjithashtu, projektligji përmban edhe 9.1 miliardë dollarë për nevoja humanitare.

Ndryshe, dje shefi i OKB-së, Antonio Guterres, tha se angazhimet e Izraelit për të përmirësuar dërgimin e ndihmave në Gazë kanë qenë të kufizuara e ndonjëherë nuk kanë rezultuar efektive fare.

“Për të shmangur urinë dhe vdekjet e mëtejshme të parandalueshme, ne kemi nevojë për një hap të madh në ndihma humanitare për palestinezët në Gazë”, tha Guterres.