Pajtohen dy familjet që u gjuajtën mbrëmë me armë zjarri në Mitrovicë

Familjet Tahiri dhe Habibaj i kanë shtrirë dorën e pajtimit njëri-tjetrit pas incidentit me armë zjarri që kanë pasur mbrëmë në Shipol të Mitrovicës.

Lajmi u bë i ditur nga Xhevdet Tahiri.

Ai i ka kërkuar falje qytetarëve të Mitrovicës për ndodhinë e mbrëmshme.

“Të nderuar qytetarë të Mitrovicës.Familja Tahiri kërkon falje për shqetësimin e mbrëmshëm që ka ndodhur në lagjen Shipol të qytetit të Mitrovicës. Sot Familja Tahiri për hatër të Zotit, familjes, shoqërisë, të gjitha institucioneve dhe të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, e shtruam dorën e pajtimit me familjen Habibaj.Kërkojmë nga mediat që të mos ekzagjerohen situatat e tilla”.

Rasti i mbrëmshme u konfirmua për Klankosova.tv edhe nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës Avni Zahiti.

“Sonte rreth orës 22:00, është raportuar se në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Mitrovicë, ishin dëgjuar të shtëna, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në cilësi të provës materiale kanë gjetur një gëzhoj. Nga informacionet e deritanishme nuk raportohet për të lënduar”.