Hoti: Kurtit ia kemi dorëzuar të gjitha dokumentet për dialogun, ai po mashtron

Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka deklaruar se kryeministri aktual Albin Kurti, ka mashtruar teksa ka thënë se u mungon dokumentacioni në lidhje me dialogun me Serbinë.

Hoti tha se kanë dorëzuar të gjitha dokumentet me të cilët ka punuar qeveria e tij në procesin e dialogut.

Ai në RTV 21 tha se Kurti ka mashtruar me këtë gjë, përcjell Klankosova.tv.

“Janë dorëzuar të gjitha dokumentet me të cilat ka punu Qeveria ime me muaj të tërë në procesin e dialogut. Dhe normalisht ai në arkivën e Qeverisë ka pasë edhe dokumente të ndryshme që janë arritur në Qeverinë paraprake. Për çdo gjë që unë kam bërë në qeveri është protokoluar. Kryeministri Kurti mashtron si çdo gjë tjetër. Tani më të gjithë e kanë të qartë”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, para disa muajve pati thënë se i mungojnë informacionet nga procesi i dialogut Kosovë-Serbi dhe se dokumentacionin nga procesi i dialogut nuk e ka gjetur në zyre kur e ka pranuar detyrën.