Osmani takon Pendarovskin, kundërshtojnë idenë e ndryshimit të kufijve

Përmes një komunikate presidenca e Kosovës njofton se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet të dy shteteve fqinje janë vlerësuar të mira, ndërkohë që të dy presidentët janë angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre, sidomos në sferën e shkëmbimit tregtar e ekonomik, arsimit, kulturës e turizmit.

“Në këtë takim është bërë e ditur se në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror, së shpejti do të mbahet një takim i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut. Presidenti Pendarovski e ka njoftuar homologen Osmani se shteti i tij do ta rrisë prezencën në kuadër të trupave të KFOR-it, teksa i ka dhënë mbështetje liberalizimit të vizave, rrugës evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimit në NATO”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Tutje theksohet se Osmani dhe Pendarovski kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve në rajon, duke theksuar se rajonit i nevojitet stabilitet.