Kosovë-Shqipëri Osmani: Kosova në koordinim të plotë me SHBA-në për çështjet prioritare

Osmani: Kosova në koordinim të plotë me SHBA-në për çështjet prioritare

Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier.

Në një shkrim në Facebook, Osmani ka thënë se me Hovenier ka biseduar për situatën e sigurisë në vend, si dhe në fushën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes.

Po ashtu, gjatë takimit u diskutua për vazhdimin e koordinimit mes institucioneve të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në adresimin e çështjeve prioritare.

Duhet theksuar se Ambasadori Hovenier, ditë më parë ka takuar edhe kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq. Kjo pas situatës së krijuar në veri të Kosovës.

Ambasadori amerikan ia ka kujtuar Rakiqit se vartësi i tij Milan Radoiçiq është në listën e zezë të sanskioneve të Departamentit të Thesarit.

Hovenier në një deklarim për media është shprehur se Radoiçiq është i lidhur me grupet kriminale ndërkombëtare.

“Në këtë takim ia kujtova [Goran Rakiqit] një çështje të veçantë, por jo në kontekstin e deklaratës së fundit, por t’ia kujtoj njerëzve se Milan Radoiçiq nga Shtetet e Bashkuara është futur në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit dhe sipas informatave tona është i lidhur me grupet kriminale ndërkombëtare dhe korrupsionit dhe ia bëra me dije atij qëndrimin e SHBA-së rreth këtij individi”, tha Hovenier.

SHBA-ja në fund të vitit të kaluar kishte vendosur sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Zvonko Veselinoviq.