Onana paguan për gabimet që bëri, mbetet në bankën rezervë për ndeshjen më të rëndësishme të Kamerunit

Përzgjedhësi i Kamerunit, Rigobert Song, e ka lënë në bankën rezervë Andre Onanan, në ndeshjen ‘jetë a vdekje’ për kameruansit në duelin ndaj Gambisë në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Kameruni momentalisht gjendet në vendin e tretë në grupin C dhe ka vetëm një pikë, andaj sot (e martë) i duhet me patjetër një fitore për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim tutje.

Sidoqoftë, fati i tyre në këtë garë nuk është plotësisht në duart e tyre, pasi ata duhet të shpresojnë që Guinea e cila gjendet në vendin e dytë, të humbasë duelin e saj ndaj Senegalit.

Onana ka fluturuar direkt nga Mançesteri në drejtim të Kupës së Kombeve të Afrikës, me Kamerunin që kishte porositur një avion privat për ta marrë atë, por Onana megjithatë kishte munguar në ndeshjen e parë të këtij kompeticioni, dhe kishte mbetur mjaft i nervozuar që nuk kishte arritur në kohë për të luajtur.

 

Kameruni luajti baras 1-1 me Guinenan në atë ndeshje, dhe më pas u mposhtën me rezultat 3-1 ndaj Senegalit në ndeshjen e dytë, me Onanan që e nisi nga minuta e parë, por bëri një gabim që i kushtoi me gol ekipit të tij.

Onana është një portier me eksperiencë të madhe në nivel ndërkombëtar pasi që ka 37 paraqitje me Kamerunin.

Zëvendësimi i tij për ndeshjen e sotme është Fabrice Ondoa i cili ka 49 paraqitje, por në nivel klubi ai aktivizohet në radhët e Nimes Olympique, që bën gara në kategorinë e tretë të futbollit francez.