Nuk ka karantinë për Kumanovën, refuzohet kërkesa e Shtabit të Krizës

Qeveria edhe një herë refuzoi kërkesat e shtabit të krizës në Kumanovë për vendosjen e qytetit në karantinë 14 ditor. Në mbledhjen e Qeverisë është vendosur që qytetarët e Kumanovës të cilët kanë nevojë të dalin, në mënyrë të detyrueshme duhet të mbajnë maskë mbrojtëse ose shall. Një vendim të tillë e paralajmëroi edhe kryemionistri teknik para mbajtjes së mbledhjes së Qeverisë. Në pyetjen e Alsat ai tha se situata në Kumanovë nuk është sikurse në Dibër dhe se dy qytetet nuk mund të krahasohen.

Dua të them cili është dallimi mes Kumanovës dhe Dibrës. Në Dibër u zbulua rasti i parë kur ne nuk kishim as gjendje krize e as gjendje të jashtëzakonshme në territor dhe e dyta sepse ai moment, nëse keni rajon ku ka një person të infektuar, logjike është të mbyllet rajoni për t’u mos përhap virusi jashtë rajonit. Madhësia e qytetit, rrethina, madhësia e rajonit që i përfshinë edhe efektet që do i japin këto masa, do jenë bazë për miratimin e vendimit – deklaroi Oliver Spasovski, kryeministër.

Shtabi i krizës në Kumanovë edhe sot e përsëriti kërkesën për karantinë 14 ditor si masë për parandalimin e koronavirusit. Kreu i Kumanovës Maksim Dimitrievski tha se shtabi pozitivisht i është përgjigjur kërkesës së Komunës së Likovës.

Kemi seancë të shtabit. Kumanova do i përgjigjet pozitivisht kërkesës nga komuna e Likovës dhe një pjesë e forcave tona të shtabit në pjesën e dezinfektimit dhe pajisjeve që i kemi, do i vendosim në dispozicion edhe për komunën e Likovës për parandalimin e përhapjes së epidemisë në atë komunë – u shpreh Maksim Dimitrievski, kryetarë i Kumanovës.

Kumanova është qyteti i dytë për nga numri i të sëmurëve nga Korona virusi, gjegjësisht numri i të prekurve me Kovid 19 është 320./Alsat