Nuk është fajtor as Zaevi dhe as Mickoski për moszbatimin e gjuhës shqipe

Arbër Çeliku Ju shqiptarët e mi, në masë të madhe, që nuk lexoni kurrë dhe, si rrjedhojë, nuk i njihni as fenomenet politike-shoqërore, dini veç të flisni kuturu dhe të paragjykoni, por edhe të besoni verbërisht në mitin e krijuar allasoj. Zaevi dhe Mickoski nuk janë aspak fajtorë për moszbatimin e gjuhës shqipe në mbarë territorin e RMV-së, ata vetëm po zbatojnë ligjin, i cili bazohet në amandamentin V të ndryshimeve kushtetuese në nëntor të vitit 2001. Pikërisht këtë vit, me mbarimin e konfliktit të armatosur, u përvijua korniza juridike e shtetit multietnik të Maqedonisë, tjetër gjë është se ajo edhe për 2 dekada nuk jetësohet në praktikë. Gardhin e ulët e kapërcen secili, thotë populli, dhe elitën tonë politike, të dehur pas pushtetit, pasurisë dhe shfrenimit, i hipën dhe i zdripën herë VMRO-ja (ajo që i thyen tabelat në gjuhën shqipe) dhe herë LSDM-ja (ajo që i heq me ligj tabelat në gjuhën shqipe). Ligjet burojnë nga kushtetuta, nëse juristët tanë nuk e kanë ende të qartë dhe amandamentin V, pgf. 1, i Kushtetutës në fuqi të RMV-së thotë kësisoj: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik”. Paragrafi 2 e zyrtarizon edhe gjuhën e qytetarëve me përfaqësim 20%: “Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen”, por paragrafi 4 e kufizon përdorimin e gjuhës së 20%-it në nivel lokal: “Cilido qytetar i cili jeton në njësitë e vetadministrimit lokal, në të cilën së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, në komunikim me njësitë rajonale të ministrive, mund ta përdorë cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj…”. Plot 19 vjet u manipulua me gjuhën tonë të shenjtë, dhe ajo shërbeu vetëm për retorikë politike. Këtë më së miri e sqaron vetë ambasadori James Pardew në librin e tij: Pacemakers. American Leadership and the End of Genocide in the Balkan, duke shpalosur të vërtetat e gjuhës shqipe me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit me nënvizimin se pala shqiptare në momentin e fundit ka hequr dorë nga dy kërkesat shqiptare, të garantuara nga Uashingtoni zyrtar: 1. Përdorimi i gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë dhe 2. Kontrolli i policisë nga ana e komunave dhe jo nga pushteti qendror (shih foton e mëposhtme të librit në shtojcë). Gjërat janë kristal të qarta, por më të qarta po bëhen kur të gjithë e dimë se ne kemi qenë të përfaqësuar politikisht dhe pa ne, siç vazhdon ende të pohojë politika, nuk mund të ketë qeveri. Nga ana tjetër, as për 19 vjet politikëbërje nuk u arrit të zbatohet as amandamenti V i Kushtetutës së vitit 2001, gjë që të gjitha palët duhet të përgjigjen për thyerje të së drejtës kushtetuese, e cila është e drejtë elementare qytetare. Mundësia më e volitshme e përmirësimit të këtij gabimi historik ishte më rastin e Marrëveshjes së Prespës, krizën ekzistenciale të shtetit të Maqedonisë, kur politika shqiptare duhej ta kushtëzonte politikën maqedonase për ndryshimet kushtetuese në të mirë të gjuhës shqipe dhe statusit minoritar të shqiptarëve në vend, por, në vend që ta bënte këtë, i ndihmoi edhe më shumë procesit të vetë shkatërrimit. Më shumë rëndësi kishte fotografimi para kamerave televizive se sa gjuha shqipe dhe çështja jonë kombëtare, përderisa shumica, ndër ta edhe ata që sot derdhin lot krokodili për gjuhën shqipe, u aplaudonin me të madhe. Na ka mbetur edhe pak ta rrahim gjoksin, derisa ende ka njerëz që u besojnë përrallave të lavdishme të së shkuarës, vetëm se politika nuk bëhet me rrahje gjoksi, por me mend. Nuk thoshte kot mixha im, rahmet i pastë shpirti: “Për pushkë s’ka kush na e shkon, ama në tavolinë gjithmonë e kemi humbur luftën”.