Destimulimi i dramës shqipe nga teatrot shqiptare!

Shkelzen Halimi

Teatri është një nga format më të gjalla të artit. Është një hapësirë ku fjala, trupi dhe emocioni bashkohen për të pasqyruar realitetin shoqëror. Kur bëhet fjalë për teatrin, në kontekstin shqiptar, vihet re një dukuri shqetësuese: teatrot shpesh nuk e mbështesin, madje aktualisht e dekurajojnë dramën shqipe. Kjo sjell një varfërim të zërit artistik kombëtar dhe ngre shumë pyetje mbi rolin e këtij institucioni kulturore, por edhe më gjerë.
Një nga arsyet kryesore ka të bëjë me mungesën e besimit te dramaturgët shqiptarë bashkëkohorë. Edhe drejtuesit e teatrove në Maqedoninë e Veriut, tashmë kanë betonuar një praktikë të përçudnuar dhe në skenë vënë vetëm vepra të huaja ose ato klasike të njohura botërisht, duke i konsideruar më të sigurta për sukses.
Është e qartë se në këtë drejtim mungon bashkëpunimi mes dramaturgëve dhe regjisorëve. Kur regjisorët nuk janë të hapur ndaj teksteve të reja, atëherë drama shqipe mbetet vetëm në letër, pa asçfarë mundësie të komunikojë me publikun. Ndaj dhe shtrohet pyetja: a kanë nevojë teatrot shqiptare në Maqedoninë e Veriut për dramën shqipe dhe kush është ai që vendos për ngjitjen e teksteve në skenë? Ose pse në teatrot maqedonase gjendja është e kundërt: dominojnë tekstet e autorëve maqedonas?
Habit qetësia e komunitetit të aktorëve, të cilët duket se janë bërë vetëm zbatues të devotshëm të dëshirave të drejtorëve e regjisorëve për ta mbajtur sa më larg dramën shqipe. Ata, pra aktorët, nuk ndjejnë asnjë “presion të brendshëm” për ta promovuar dramën shqipe. Të jemi të qartë, tashmë kemi një realitet tjetër dhe publiku shqiptar gjithnjë e më pak provokohet me autorët e huaj, sepse dramat e Shekspirit, Ibzenit, Brehtit e shumë të tjerëve, mund t’i shijojë sa herë që të ketë nevojë e të dojë (të interpretuar në skena të ndryshme botërore), bie fjala, në platformën youtube.
Destimulimi i dramës shqipe nga teatrot shqiptare, sidomos në Maqedoninë e Veriut, nuk është rezultat i një shkaku të vetëm, por i një sërë faktorëve: mungesës së besimit, mungesës së mbështetjes, mungesës së bashkëpunimit dhe mungesës së kritikës.
Gjendja do të kthehet në binaret e vërteta vetëm nëse imponohet një qasje e re, e cila në qendër e vendos krijuesin shqiptar dhe e sheh dramën shqipe si një pasuri të kulturës, artit dhe letërsisë tonë. Vetëm kështu teatri shqiptar mund të bëhet një pasqyrë autentike e shoqërisë shqiptare.