Njoftoi për largim nga klubi, Barcelona ‘refuzon’ kërkesën e Xavit për transferime

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka marrë një përgjigje negative nga bordi i klubit për kërkesën që e pati ndaj tyre për transferimin e tre lojtarëve që klubi i kishte premtuar më parë.

Ka qenë një sezon i vështirë deri më tani për kampionin në fuqi të La Ligas, pasi momentalisht renditen në pozitën e katërt në tabelë.

Pas humbjes së rëndë ndaj Villarrealit me rezultat 5-3 të shtunën, Xavi njoftoi për vendimin që kishte marrë për t’u larguar nga klubi pas përfundimit të sezonit.

Tani është raportuar se Xavit i është thënë që të ‘harrojë’ për transferimin e tre lojtarëve të cilët i ishin premtuar atij më herët.

Sipas mediumit katalan Sport, Xavi dëshironte transferimin e njërit prej Joshua Kimmich, Bernardo Silva apo Martin Zubimendi.

Tekniku spanjoll e ka konsideruar Zubimendin si një zëvendësues afatgjatë të Sergio Busquets pasi ky i fundit vendosi që të largohet në drejtim të Amerikës për t’u ribashkuar me Messin.

Eventualisht, besohet se drejtori sportiv i blaugranasve Deco, i ka thënë Xavit të harrojë rreth transferimit të Kimmich, Silvas apo Zubimendit.

Për shkak të situatës së vështirë financiare, klubi e ka të pamundur që të transferoj një lojtar të kalibrit të tillë.