Haradinaj pritet nga Escobar në Departmentin e Shtetit: Kërkova ndihmën për anëtarësim në NATO

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ditën e parë të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka filluar në Departamentin Amerikan të shtetit në takim me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kështu ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes facebook, ku thotë se në takimin me Escobar u dëshmua mbështetja e parezervë e qeverisë amerikane për popullin dhe shtetin Kosovës, transmeton klankosova.tv.

“Ditën e parë të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e fillova me takimin në Departamentin Amerikan të Shtetit, me emisarin e qeverisë amerikane për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar. Në takim theksova që arritjet e deritanishme si shtet, përpos që janë meritë e sakrificës së shumë brezave ndër vite, padyshim e kanë vulën e Amerikës”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka kërkuar që të ngritet niveli i marrëdhënieve bilaterale, sidomos në fushën e sigurisë, me anëtarësimin me hapa të përshpejtuar të Republikës së Kosovës në NATO.

“Në takimin me z. Escobar u dëshmua mbështetja e parezervë e qeverisë amerikane për popullin dhe shtetin Kosovës, në veçanti me proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Kërkova që të ngritet niveli i marrëdhënieve bilaterale, sidomos në fushën e sigurisë, me anëtarësimin me hapa të përshpejtuar të Republikës së Kosovës në NATO”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se aleanca mes dy vendeve është e përjetshme.

“Aleanca mes dy vendeve tona është e përjetshme dhe do të punojmë pandalur që të zhvillohet e forcohet çdo ditë”, ka përfunduar Haradinaj.