Një nënadmiral prorus në Berlin, politikanë që adhurojnë Putinin, një korrespondent skandaloz

Shkruan: Enver Robelli

Në krizën e Ukrainës Berlini është duke luajtur një rol tmerrësisht të pavendosur dhe të rrezikshëm.
■ Kriza në Ukrainë si rrjedhojë e kërcënimeve ushtarake ruse ka shpërfaqur një problem tjetër: problemin gjerman. Që në Gjermani ka disa politikanë me ndikim që mbajnë qëndrime proruse apo ambivalente ndaj Rusisë, ka qenë e ditur. Ish-kancelari Gerhard Schröder është lobist me pagesë i Rusisë. Schröder është përpjekur ta arsyetojë aneksimin e Krimesë nga Rusia duke thënë se edhe Perëndimi e ka shkelë të drejtën ndërkombëtare me ndërhyrjen në Kosovë, ndonëse Krimeja dhe Kosova janë të pakrahasueshme.

■ Në Partinë Socialdemokrate ka disa politikanë që duan të mbajnë qëndrim asnjanës ndaj krizës në Ukrainë. Shpesh ata fajësojnë edhe Perëndimin “për vringëllim shpatash”.

■ Por jo vetëm politikanë socialdemokratë bien në sy me deklarata të çuditshme që mund të interpretohen si proruse. Inspektori i Marinës Gjermane, nënadmirali Kay-Achim Schönbach, ka shkaktuar shqetësime të mëdha me një deklaratë skandaloze gjatë vizitës në Indi. Schönbach tha se Krimeja është e humbur për Ukrainën dhe kësisoj kundërshtoi qëndrimin zyrtar të Gjermanisë. Ai shtoi se krejt çka kërkon Vladimir Putini është që të respektohet dhe ai e meriton respektin, tha Schönbach. Para bashkëbiseduesve në Indi Schönbach deklaroi se është “i krishterë shumë radikal”, beson në zot dhe konsideron se është mirë që Rusia e krishterë të jetë partnere kundër Kinës. Pas këtyre broçkullave qeveria gjermane e largoi nga posti Kay-Achim Schönbachun.

■ Rusia publikisht ka prezantuar plane për pushtimin e ishullit suedez te Godlandit si përgatitje për sulm ndaj shteteve baltike. Në lidhje me këtë korrespondenti i televizionit publik gjerman ARD në Moskë Joe Angerer tha se për Rusinë paraqet kërcënim që Suedia ka dërguar mjete të blinduara në ishullin Godland. Kështu gazetari e amniston agresorin (Rusinë) dhe e akuzon Suedinë, e cila kujdeset për territorin e saj. Kush është Joe Angerer? Është ai gazetari i televizionit gjerman WDR, i cili bashkë me një gazetar tjetër, menjëherë pas luftës së Kosovës, përgatitën një dokumentar me titullin “Filloi me një rrenë” (Es begann mit einer Lüge). Filmi pretendon se lufta e Kosovës ka nisur me një rrenë (pra, me masakra të rrejshme) dhe kështu është nxitur NATO-ja të intervenojë. Filmi pati ndezur debate të ashpra në Gjermani. Sllobodan Millosheviqi e pati pritur me duartrokitje këtë film dhe e pati përmendur disa herë gjatë gjykimit të tij.

■ Kryeministri i Bavarisë Markus Söder në një intervistë për edicionin e së dielës të “Frankfurter Allgemeine Zeitung” thotë se Rusia është partner i vështirë, por nuk është armike e Europës. Këtë e thotë pasi prej vitesh është dokumentuar se Rusia saboton demokracitë perëndimore dhe shërbimet ruse nuk ngurrojnë të vrasin kritikë të regjimit edhe në Perëndim. Söder deklarohet edhe kundër sanksioneve të reja kundër Rusisë.

■ Kancelari Olaf Scholz është duke iu shmangur prononcimit të qartë kundër agresionit rus. Ngjashëm si Angela Merkel edhe Scholz me gjasë beson se agresioni i pritshëm rus do të zhduket nëse nuk flitet për të. Ndonëse para pak ditësh në Berlin ka qëndruar shefi i CIA për të alarmuar palën gjermane, Scholz nuk ka pranuar të takohet menjëherë me presidentin e SHBA-ve, Joe Biden. Po ashtu Gjermania është duke refuzuar të furnizojë Ukrainën me armë mbrojtëse (defensive). Shtete të tjera europianoperëndimore janë duke dërguar armë në Kiev. Disa analistë me shpoti thonë se Gjermania dëshiron të jetë si Zvicra, vetëm me një industri të madhe të veturave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.