Shkruan: Hiqmete Daja
Libri “Aleanca e duhur Shqipëri- Kroaci” ambasadorit Shaban Murati, zë një vend të veçantë në historikun dhe në fondin e literaturës politike dhe diplomatike të diplomacisë shqiptare dhe të marrëdhënieve midis dy shteteve dhe dy vendeve tona. Është libri i parë i shkruar nga një autor në Shqipëri dhe i botuar në Tiranë për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kroacisë, jo vetëm në vështrim historik, por si nevojë gjeopolitike dhe interes strategjik i të dy shteteve për një aleancë strategjike midis tyre. Në shkrimin dhe botimin e librit autori nuk niset nga një gjykim emocial i çastit për marëdhëniet midis dy vendeve tona, apo nga raportet e tyre me shtete të treta në Ballkanin Perëndimor.
Autori nuk është shkrimtari, që rastësisht vendosi të merret me temën e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kroacisë në mënyrë të rastësishme apo spontane, në një kohë të caktuar dhe të kufizuar. Shaban Murati është diplomati i vjetër i karrierës dhe analisti diplomatik prej 55 vitesh përvojë profesionale, që u ul të shkruajë librin për Kroacinë i shtytur nga përvoja e gjatë profesionale për ndjekjen si diplomat ekspert i të gjitha zhvillimeve dhe marrëdhënieve të shtetit të ri të Kroacisë dhe veçanërisht politikën e tij të jashtme në Ballkan. Libri për Kroacinë është shkruar pasi autori kishte botuar gjatë karrierës së tij të gjatë mijëra e mijëra analiza ekskluzivisht për Ballkanin dhe zhvillimet e marrëdhëniet diplomatike midis shteteve në rajonin tonë. Kështu libri u përfshi dhe plotësoi kolanën e veprave kushtuar ekskluzivisht shteteve të Ballkanit diplomatik. Libri për Kroacinë është pjesë e kolanës së 20 veprave të autorit, kolanë që është quajtur nga ai “Saga diplomatike e Ballkanit”. Kjo kolanë veprash diplomatike është e pashoqe në literaturën politike shqiptare dhe në diplomacinë shqiptare.
Libri “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci” ndërtohet mbi dy shtylla të rëndësishme konceptuale dhe reale. Shtylla e parë është ajo e marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe shpreh këmbënguljen e autorit në tezën e tij gjeopolitike që marrëdhëniet midis dy shteteve tona duhen ngritur në nivelin e një aleance strategjike të Shqipërisë me Kroacinë në Ballkanin Perëndimor. Ambasadori Murati është i pari në Shqipëri, që ka propozuar këtë orientim gjeopolitik. Sikurse shkruan ai vetë në libër, kur ka pasur detyra të rëndësishme në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë si drejtor i drejtorisë së Ballkanit dhe këshilltar i posaçëm për Ballkanin, u ka propozuar prej vitesh autoriteteve shqiptare këtë propozim të tij.
Propozimi apo teza e ambasadorit Murati nuk është emocion i çastit, por është konkluzion i një analize dhe përvoje të gjatë profesionale të të gjithë faktorëve historikë dhe aktualë, që përcaktojnë llojin e orientimit gjeopolitik të marrëdhënieve me njerin apo tjetrin shtet ballkanik.
Autori argumenton thellë në libër arsyet dhe faktorët përse Shqipëria në politikën e saj të jashtme në Ballkanin Perëndimor duhet të përcaktojë aleancën strategjike me Kroacinë si bosht të politikës së saj në Ballkanin Perëndimor. Në libër shpjegohen këta faktorë, që lidhen me marrëdhëniet dhe afërsinë historike midis dy popujve gjatë historisë, sepse Kroacia është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor, me të cilin populli dhe kombi ynë nuk kanë pasur kurrë probleme. Siç ka theksuar albanologu i madh kroat Milan Shuflaj në vitin 1930:
Shqipëria dhe Kroacia janë dy shtete anëtare të NATO-s që kanë hyrë në aleancën atlantike në të njejtën kohë dhe detyrohen nga Traktati themelues i NATO-s të luftojnë për njeri-tjetrin nëse njeri prej tyre sulmohet nga ndonjë shtet i tretë në Ballkan ose jashtë tij. Shqipëria dhe Kroacia janë dy shtete, që lidhen nga deti i përbashkët Adriatik dhe që i bashkon në interesa jetike. Kroacia është shteti, që ka përkrahur dhe mbajtur mirëkuptimin më të madh nga shtetet e Ballkanit Perëndimor për çështjen kombëtare shqiptare dhe sidomos për çështjen e Kosovës dhe pavarësinë e shtetit të saj.
Për fat të keq propozimi dhe argumentet bindëse të nje diplomati kalibri si Shaban Murati nuk gjetën mirëkuptimin e duhur nga autoritetet shqiptare. Përkundrazi, politika jonë e jashtme u lëkund dhe arriti që të kërkojë aleancë strategjike me një shtet armik historik të çështjes kombëtare shqiptare dhe të Kosovës si Serbia. Në këtë kuadër autori me librin e tij u bën thirrjen historike autoriteteve shqiptare që të korregjojnë orientimin e politikës së jashtme shqiptare në Ballkanin Perëndimor drejt aleancës strategjike me Kroacinë.
Boshti i dytë i libri lidhet me politikën e jashtme të Kroacisë në Ballkan. Duke ndjekur për shkak të detyrës së tij diplomatike zhvilimet qysh me prishjen e federatës komuniste jugosllave, autori ka bëre në librat e tij objekt hulumtimi për analizat e tij politikat e jashtëme të të gjitha shteteve ballkanike dhe kjo e ka bërë atë një nga njohësit më të mirë të rajonit në botën shqiptare.
Autori ka përkrahur politikën e jashtme të Kroacisë dhe qendrimet e saj ndaj fqinjëve dhe shteteve të tjera të Ballkanit gjatë gjithë historisë së shtetit të ri kroat. Mund të thuhet se është vështir të gjesh nje libër jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, që të shprehë një mbështetje kaq profesionale dhe sistematike për politikën e jashtme kroate në Ballkan se sa libri i ambasadorit Murati. Duhet theksuar merita e autorit si diplomat karriere dhe analist largpamës, që ai i ka përkrahur qendrimet e politikës së jashtme kroate në kohën, kur kanë ndodhur ngjarjet dhe, kur nuk dihej ende përfundimi i atyre ngjarjeve. Koha i dha të drejtë parashkimeve dhe analizave të tij. Autori përkrahu fort që në fillim luftën e drejtë të popullit kroat kundër agresionit barbar të Serbisë në vitet 1992-1995, ka përkrahur operacionin e drejtë patriotik “Storm” të Kroacisë për çlirimin e territoreve kroate të pushtuara nga agresori serb, ka përkrahur kërkesat e drejta të Kroacisë për reparacione lufte nga Serbia për viktimat, maskrat dhe shkatërrimet që agresioni serb shkaktoi në tokën kroate. Ka përkrahur qendrimet e drejta të Kroacisë për dënimin e kriminelëve serbë të luftës dhe për gjetjen e të zhdukurve dhe të rrëmbyerve kroatë nga Serbia gjatë agresionit, etj. Autori ka përkrahur mbrojtjen nga Koacia të kufijve të vet tokësorë dhe detarë, etj. Këto dhe shumë qendrime të tjera të autorit i keni te analizuara në kohën e duhur në librin “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci”.
Ambasadori Murati e sheh mbështetjen ndaj qendrimeve diplomatike të Kroacisë ndaj shteteve fqinj dhe në Ballkanin Perëndimor jo vetëm të drejta dhe në përputhje me interesat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, por edhe në prizmin e kontributit të madh, që Kroacia ka dhënë dhe jep për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.
Libri i ambasadorit Murati është një kontribut i shquar për marrëdhëniet dhe miqësinë midis dy vendeve dhe dy popujve tanë. Një libër i i tillë nderon jo vetëm autorin, por edhe Shqipërinë, sepse përfaqëson zërin, që lufton për aleanca të drejta dhe gjeopolitikë realiste të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor. Libri nderon gjithë shqiptarët në Ballkan, por veçanërisht shqiptarët e Kroacisë që kanë tani në duar një dëshmi të thellë të miqësisë midis dy popujve dhe dy shteteve tona, si dhe një faqe pozitive të këtyre marrëdhënieve, që kërkojnë të nxiten të ecin përpara dhe të bëhen më të ngushta.
Diplomacia kroate e ka vlerësuar lart librin dhe autorin. Në një deklaratë të tij ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, dr. Zlatko Kramariç ka deklaruar: “Për ne kroatët Shaban Murati është Milan Shuflaj shqiptar”.
Do të kisha dëshirë t’ju thoja shkurtimisht dy fjalë për ambasadorin Shaban Murati
Të gjitha veprat e tij janë një krijim i mirëfilltë jo vetëm politik, por edhe emocional, problematik dhe në të njëjtën kohë një analizë e parë nga një këndvështrim i gjerë realist i shoqërisë së sotme ngërthyer me historinë dhe të shkuarën e Shqipërisë, botës, gjenezës sonë e mbi të gjitha një thirrje apo apel për të parë qartë dhe pa iluzione të gjitha fenomenet që na rrethojnë dhe që në të njëjtën kohë na kërcënojnë. Autori përfaqëson një figurë poliedrike, shumë të rëndësishme në veprimtarinë dipomatike, shoqërore, shkencore, etj., një personaliteti të shquar, që meriton vëmendje dhe interes shtetëror dhe akademik të veprës së tij.
Nuk mun të rri pa nënvizuar rëndësinë e misionir të madh, që autori i ka vënë vetes për të qartësuar ndërgjegjen e shqiptarëve për atë çka të tjerët stisin e veprojnë me dijeninë e qeveritarëve apo jo, por në asnjë rast me dijeninë e popullit shqiptar, dinjitetin dhe interesin shtetëror e kombëtar të të cilit autori i merr në mbrojtje, duke ndriçuar prapaskenat që luhen në kurriz të Shqipërisë e shqiptarëve. Janë të rrallë ata krijues, që shkruajnë pa doreza duke i përplasur të vërtetat në publik si një dorashkë sfide dhe këtë Shaban Murati e bën me një kurajë civile, si një njohës i thellë i politikës së jashtme.
Shqetësimi profesional i autorit si atdhetar dhe personalitet i shquar ka qenë dhe mbetet orientimi dhe lundrimi pa kthim i diplomacisë shqiptare, i shtetit shqiptar dhe i kombit shqiptar drejt vlerave, civilizimit dhe aleancave perëndimore. Drejt perëndimit.
Si shkrimtare dhe krijuese dua ta mbyll këtë shkrim me vlerësimin tim se te krijimtaria e diplomatit të madh Shaban Murati kemi një kolos të letrave shqipe, me një bekgraund të pasur diplomatik, kulturor e social, i talentuar e plot mendime, që rrallë të qëllon ta takosh.