Një biznesmen i fuqishëm kërkon të blejë Interin, ai është gati të investojë miliarda euro

Thomas Zilliacus (67), një biznesmen finlandez, është i interesuar të blejë Interin dhe është gati të investojë një shumë të madhe parash.

Finlandezi me rezidencë në Singapor njoftoi se ka në dispozicion 2.5 miliardë euro për blerjen e gjigantit italian të futbollit.

Zilliacus pretendon se do të paraqesë një ofertë zyrtare së shpejti dhe paratë i mblodhi falë “investitorëve të ndryshëm, familjeve të vogla dhe të mëdha dhe investitorëve institucionalë”, emrat dhe kombësitë e të cilëve nuk donte t’i zbulonte.

“Unë jam serioz, këtë javë ose më së voni javën e ardhshme, pronari aktual i Interit do të marrë një ofertë të duhur për të blerë klubin”, tha Thomas Zilliacus për La Repubblica.

 

Në negociatat për blerjen e Manchester United ishte përfshirë edhe Thomas Zilliacus, por që blerja në fund nuk u realizua, por tashmë ai ka vendosur të paraqesë ofertë për Interin dhe mund të bëhet shefi i ri i Nerazzurrëve.

Zilliacus është një ish-ekzekutiv i Nokias, i cili thotë se e ka bërë pasurinë e tij në sektorin e teknologjisë në Azi. Ai jeton në Singapor, ku në vitin 1998 themeloi një fond investimi të specializuar në teknologjitë e reja, Mobile FutureWorks (MFW).

Oferta për Interin, sqaron ai, do të bëhet nga kompania XXICenturyCapital, e cila është e vendosur në Singapor dhe është e interesuar për futbollin dhe modën.

Interi , 19 herë kampion i Italisë dhe tre herë fitues i Ligës së Kampionëve, po udhëhiqet nga grupi kinez Suning dhe biznesmeni Steven Zhang që nga viti 2016. Revista Forbes e vlerëson klubin italian në 1.03 miliardë dollarë.

Interi është aktualisht lider në Serie A me 28 pikë, dy më shumë se Juventusi.