Endrick thyen ‘mitin’ 30 vjeçar te Brazili, vetëm ‘fenomeni’ Ronaldo kishte arritur diçka të tillë

Trajneri i Brazilit, Fernando Diniz, ka shpallur listën e skuadrës së tij për kualifikueset e Kupës së Botës kundër Kolumbisë dhe Argjentinës, dhe në të është edhe 17-vjeçari i mrekullueshëm, Endrick Felipe.

Sulmuesi i Palmeiras, i cili do t’i bashkohet Real Madridit verën e ardhshme për rreth 60 milionë euro së bashku me bonuse, u bë kështu 17-vjeçari i parë që merr një thirrje në kombëtaren braziliane në 30 vjet.

Futbollisti i fundit 17-vjeçar që u përfshi në listën e lojtarëve të kombëtares braziliane ishte Ronaldo në vitin 1993.

“Thirrja nuk është presion, por një shpërblim dhe një njoftim për suksesin e ardhshëm të Endrick, i cili mund të bëhet një nga më të mirët në histori”, ka thënë trajneri Diniz për adoleshentin që shënoi 14 gola në 54 paraqitje për Palmeiras.

Brazili do të luajë ndeshjen e parë kundër Kolumbisë më 17 nëntor, ndërsa më 22 nëntor do të përballet me Argjentinën lidere.

Në listën e Selecaos nuk mungojnë yje të mëdha si Vinicius Junior, Gabriel Jesus, Bruno Guimaraes dhe Alisson Becker.