Ngjarjet politike që shënjuan vitin 2020 në Shqipëri

Viti 2020 ishte i mbushur me ngjarje të shumta politike ku u morën vendime të rëndësishme për zgjedhjet e vitit 2021, u bënë marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitave jashtë e brenda parlamentare, u bë funksionale Gjykata Kushtetuese dhe u krijuan disa parti të reja, por me figura të vjetra.

Ishte viti i Konferencës së Donatorëve ku Shqipëria arriti të siguronte 1.15 miliardë euro nga e gjithë bota, të cilat do të përdoren për të rindërtuar zonat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit i vitit 2019. Një vit i kushtëzuar jo pak nga pandemia COVID-19, por që solli ngjarje të shumta politike që do të kenë një rol të madh në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, siç ishte ndryshimi i Kodit Zgjedhor.

Ngjarjet politike që shenjuan vitin 2020 në Shqipëri:

Marrëveshja e 14 janarit

Viti 2020 nisi me një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës. Ishte një marrëveshje shpresëdhënëse dhe e përshëndetur nga të gjitha palët, ku u vendos ngritja e Këshillit Politik, i cili do të kishte detyrë të përfundonte Reformën Zgjedhore. Këshilli Politik i përbërë nga Damian Gjiknuri i PS-së, Rudina Hajdari e opozitës parlamentare, Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili nga opozita jashtëparlamentare filloi punë menjëherë, pasi afati për të përfunduar Reformën Zgjedhore u vendos 15 marsi. Por nuk do të ishte e thjeshtë, pasi menjëherë fillojnë përplasjet, me PD-në dhe LSI-në që kërkojnë që vendi të ketë një qeveri kujdestare para zgjedhjeve, por qëndrimi i mazhorancës është absolutisht i kundërt. Mbledhjet e Këshillit Politik pezullohen për pak kohë për shkak të izolimit të vendit nga pandemia, ndërsa afati i ri vendoset 31 maji, me ndërkombëtarët që kërkojnë që kjo datë të mos shkelet. Por kundërshtitë mes palëve janë të mëdha, pasi demokratët nuk heqin dorë nga qeveria tranzitore, duke bërë që edhe afati i 31 majit të digjet.

Konferenca e Donatorëve tejkalon pritshmëritë, Shqipëria arrin të mbledhë 1.15 miliardë euro

84764944_675894566481419_5764573589451783718_n.jpg

Tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019, i cili shkaktoi 51 viktima dhe qindra të plagosur, la pas edhe një gropë të madhe ekonomike, pasi dëmet materiale nuk mund të mbuloheshin nga shteti ynë. Dëmet ishin llogaritur në rreth 1 miliardë euro, ndërkohë që në ndihmë të Shqipërisë vjen Bashkimi Europian, i cili organizon Konferencën e donatorëve “Bashkë për Shqipërinë”. Shtete nga e gjithë bota bëjnë donacione për Shqipërinë, duke bërë që në fund të kësaj konference të mblidhen 1.15 miliardë dollarë, nga të cilat 300 milionë dhuratë, ndërkohë që pjesa tjetër projekte dhe borxhe me interes hsumë të vogël. Një arritje e madhe për Shqipërinë, ndërkohë që lobingu nga politika ka qenë i madh, me kryeministrin Rama që takoi pothuajse cdo lider të shteteve të fuqishme për të kërkuar ndihmën e tyre.

Protesta e 2 marsit, Presidenti Meta mbledh dhjetëra mijëra qytetarë në shesh për mbrojtjen e Kushtetutës

Screenshot_1_copy.jpg

Për shkak të mosmarrëveshjeve mes qeverisë dhe presidentit për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe akuzat e Metës për kreun e KED-së Ardian Dvorani, presidenti organizon një tubim paqësor në 2 mars. Meta i bën thirrje popullit që të dalë dhe të protestojë për mbrojtjen e Kushtetutës, ndërsa paralajmëron se në 2 mars do të rrëzojë me një dekret parlamentin, për të cilin thotë se është ilegjitim. Thirrjes së Metës i bashkohen qindra mijëra qytetarë dhe figura të njohura të politikës, artit, sportit dhe shoqërisë civile, ndërsa të shumtë janë edhe pjesëmarrësit që janë kthyer nga jashtë vendit vetëm për këtë protestë. Gjatë tubimit paqësor, Meta akuzoi qeverinë për shkeljen e Kushtetutës, por dekretin për shpërndarjen e parlamentit nuk e nënshkruan, pasi tha se do të presë të përfundojë punën Kolegji Zgjedhor.

Marrëveshja e 5 qershorit dhe kundërshtimi nga opozita parlamentare

Pasi palët nuk ranë dakord dhe u shkel afati i 31 majit, Këshillin Politik e “merr në dorë” ambasadorja amerikane Yuri Kim. Për dy ditë me radhë anëtarët e Këshillit Politik i bëjnë mbledhjet në rezidencën e ambasadores. “Presioni” i saj bën që palët më në fund të bien dakord. Ishte vetë nambasadorja që pas një takimi me liderin e PD-së Lulzi Basha, të deklarojë se ka në dorë marrëveshjen e shumëpritur. Në datë 5 qershor nënshkruhet edhe marrëveshja mes anëtarëv të Këshillit Politik, ku u arrit dakordësia në shumicën e pikave të diskutuara, ndërsa disa të tjera u vendosën të diskutohen më vonë. Por do të dilte një problem jo i parashikuar, pasi opozita parlamentare deklaroi se nuk do e votonte marrëveshjen e 5 qershorit nëse zgjedhjet nuk bëheshin me lista të hapura. Diskutimi fillon nga e para…

Partia Socialiste mbështet listat e hapura, PD e akuzon për shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit

Edhe pse fillimisht deklaroi se nuk i besonte listave të hapura, Rama dhe Partia Socialiste u “detyruan” të pranojnë hapjen e tyre, për shkak se nuk i kishin 84 votat e nevojshme për të kaluar marrëveshjen e 5 qershorit në parlament.Marrëveshja me opozitën parlamentare firmoset në 21 korrik, ndërsa në 23 korrik miratohet në parlament marrëveshja e 5 qershorit. Akuzat e opozitës jashtë parlamentare janë të shumta, pasi akuzojnë qeverinë se shkeli marrëveshjen e arritur në 5 qershor, pasi hapja e listave nuk ishte në marrëveshje.Por asgjë nuk do ta ndryshonte marrëveshjen e Ramës me opozitën parlamentare, pasi më 30 korrik kalojnë edhe ndryshimet Kushtetuese. Në 5 tetor do të miratohen edhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor. ku hiqen koalicionet mes partive dhe ulet pragu zgjedhor, duke u dhënë mundësi partive të vogla të përfaqësohen në parlament.

Presidenti Meta cakton 25 prillin e vitit 2021 për zgjedhjet e ardhshme parlamentare

Marrëveshja e 5 qershorit dhe ajo e 21 korrikut i hapin rrugë bisedimeve të presidentit Meta me partitë për të vendosur datën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Opozita dëshiron që të mbahen sa më shpejt, mazhoranca nuk ka ndonjë preferencë. Meta zgjedh rrugën e mesme, vendos së bashku me partitë që zgjedhjet të mbahen në 25 prill të vitit 2021. Zyrtarisht kemi një datë zgjedhjesh, me partitë që bien dakord dhe fillojnë nga puna për t’u përgatitur për betejën elektorale.

Shembja e Teatrit Kombëtar, protesta të dhunshme në kryeqytet dhe përfshirja e politikës

134130908_439435003748013_838608149906915649_n.jpg

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar ishte një ngjarje që la shenjë në vitin 2020, në të cilën politika u përfshi jo pak. Në 14 maj Bashkia e Tiranës merr vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar, ndërkohë që rreth dhe brenda godinës qëndrojnë dhjetëra aktivistë, ndërsa në mbështetje të tyre vjen edhe opozita. Një natë PD dhe një natë LSI qëndrojnë në teatër për ta mbrojtur nga shembja, mes të cilëve edhe Basha e Kryemadhi që nuk ngurrojnë të kalojnë netët brenda godinës. Por në orët e para të mëngjesit të 17 majit policia ndërhyn me forcë dhe largon personat që qëndronin në godinë, për të filluar shembjen e saj. Pamje të trishta që u ngulitën thellë në memorien e cdo personi që e pa, ndërkohë që në kryeqytet nisën protestat. Në krye të protestës qëndronin artistët, të mbështetur masivisht nga opozita, ndërkohë që përplasjet me policinë janë të dhunshme dhe shoqërimet në komisariat janë të shumta. Protestat zgjatën disa ditë, ndërkohë që akuzat e opozitës për qeverinë ishin të vazhdueshme, me Bashën dhe Kryemadhin që u zotuan se me ardhjen në pushtet do ta ndërtonin teatrin ku ishte dhe siç ishte.

Politikës shqiptare i shtohen parti të reja, figurat janë të vjetra

-640-0-5f6baad597ee8.jpg

Në Shqipëri është bërë e udhës që të pakënaqurit nga partitë e mëdha të krijojnë parti të tjera, dhe kjo ndodhi edhe këtë vit. Ish-deputetë dhe figura të njohura të Partisë Demokratike, të zhgënjyer nga sjellja e kryedemokratit Basha, vendosën të krijojnë partitë e tyre dhe të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit nën sigla të tjera. Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli vendos të krijojë një lëvizje të re politike, të cilën e quan “Lëvizja për Ndryshim”, me të cilën do të garojë në zgjedhje, ndërkohë që të njëjtën gjë bën edhe deputeti i dalë nga PD Myslim Murrizi, i cili së bashku me disa deputetë të tjerë dormon partinë “Lëvizja Demokratike Shqiptare”. Deputetja Rudina Hajdari i bashkohet partisë së re të formuar nga Nisma Thurje, ndërsa së bashku me ta qëndron edhe Astrit Patozi me Bindjen Demokratike, të formuar q ënë vitin 2019. Me uljen e pragut zgjedhor këto parti të vogla kanë më shumë shanse për t’u përfaqësuar në Kuvend, por sfida e tyre është shumë e vështirë, pasi përballë kanë “peshkaqenët” e politikës, partitë e mëdha që në këto zgjedhje kanë pritshëmri të larta. Mbetet vetëm të presim e të shohim se sa do arrijnë këto parti të vogla të bindin elektoratin për t’i votuar.

Dorëheqjet e ministrave dhe ndryshimet në qeveri

Një vit jo shumë i qetë 2020-ta për ministrat e Ramës, të cilët vazhdimisht janë akuzuar nga opozita për tendera korruptivë. Më të sulmuarit ishin ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ministrja e Arsimit Besa Shahini. Edhe ky vit nuk do të mbyllej pa ndryshime në qeveri, pasi 3 ministra dhanë dorëheqjen nga detyra. E para që “la në baltë” Ramën ishte Besa Shahini, ministrja e Arsimit që njoftoi dorëheqjen në ditën e parë të fillimit të mësimit në shkolla. Ajo falenderoi Ramën për mundësinë, ndërsa u shpreh se do të largohej edhe nga Shqipëria, ndërkohë që vendin e saj e mori deputetja e Elbasanit Evis Kushi.Dorëheqja më e bujshme do të ishte ajo e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili u “detyrua” të largohej për shkak të protestave pas vrasjes së 25 vjecarit Klodian Rasha nga një efektiv policie. Do të duheshin disa ditë që Rama të merrte vendimin për ministrin e ri, ndërkohë që në fund vendosi që Ministrinë e Brendshme ta drejtonte Bledi Cuci. Ky i fundit la bosh postin e ministrit të Bujqësisë, duke ia lënë vendin Milva Ekonomit. Dorëheqja e fundit do të vinte nga diplomacia shqiptare, pasi ministri në detyrë i Punëve të Jashtme Gent Cakaj do të njoftonte largimin nga ky post. Rama e zëvendëson me ministren e Mbrojtjes Olta Xhacka, ndërkohë që vendin e kësaj të fundit e merr Niko Peleshi. Por për dekretimin e Xhackës si ministre do të duhet dorëheqja e Ramës nga detyra që ai mban edhe si ministër i Jashtëm. Deri në përfundim të zgjedhjeve të ardhshme nuk pritet ndonjë ndryshim tjetër në qeveri, por në politikë asgjë nuk është e pamundur.

Në fund qershia mbi tortë, Gjykata Kushtetuese bëhet funksionale

Emërimet në Gjykatën Kushtetuese hapën një “luftë” të madhe mes presidentit Meta dhe qeverisë, e cila kulmoi me protestën e 2 marsit. Por ashti si edhe për marrëveshjet e tjera, do të duhej ndërhyrja e ambasadores amerikane që plotësimi i Gjykatës Kushtetuese të fillonte dalëngadalë. Ambasadorja Kim bëri thirrje që palët politike t’i linin lojërat, ndërsa e njëjta thirrje vinte edhe nga partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ajo që nuk u bë gjatë gjithë vitit “mori jetë” në fund të dhjetorit. Gjykata Kushtetuese u bë me 7 anëtarë, duke u kthyer në funksionale pas 3 vitesh dhe duke përmbushur një nga kushtet e BE-së për pjesëmarrjen në Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Viti 2020 u mbyll me këtë zhvillim pozitiv, ndërkohë që pritet edhe ngritja e Gjykatës së Lartë që drejtësia të vijojë punën normalisht.