Sqarim i Zyrës së Presidentit: Vjosa Osmani nuk i ka marrë 1 mijë euro mëditje

Presidenca e Kosovës ka reaguar pas një shkrimi të publikuar në Express rreth shpenzimeve të ushtrueses së detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmanit, gjatë një vizite zyrtare në Shqipëri.

Nga Presidenca kanë sqaruar se Osmani s’ka marrë e vetme 1 mijë euro mëditje, por se kjo shumë është vlera totale e mëditjeve që kanë marrë tetë anëtarë që kanë qenë pjesë e delegacionit zyrtar.

“Gjatë qëndrimit treditor në Shqipëri, u.d. Presidentja, Vjosa Osmani nuk i ka marrë  1 mijë euro mëditje. Në delegacionin zyrtar kanë qenë tetë anëtarë, të cilët siç përcaktohet me ligj, kanë marrë nga 39 euro në ditë mëditje, të cilat e kanë krijuar shumën prej 1 mijë eurosh”, kanë thënë nga presidenca.

Tutje, në sqarim thuhet se kjo është një ndër vizitat e rralla kur shpenzohet kaq pak.

“Do të jemi transparent për secilin cent të shpenzuar, por në të njëjtën kohë do t’u japim qasje mediave për të parë edhe sa kanë shpenzuar ata që ishin para nesh. Ndaj do të shihet se Kabineti Osmani ka shpenzuar shumëfish më pak sesa kabinetet paraprake”, thuhet në sqarim.

Drejtori i Gazetës Express, Berat Buzhala, i ka kërkuar zonjës Osmani falje për gabimin e mediumit.

Ky raportim nuk ka qenë i qëllimshëm dhe ka ndodhur si pasojë e lëshimit të një gabimi.