Në hapjen e fushatës së LDK-së, Vjosa Osmani foli për krizën politike dhe nevojën për një qasje të re në ndërtimin e shtetit, duke theksuar se Kosova nuk duhet të mbetet peng i krizave të vazhdueshme.
Ajo deklaroi se ka ardhur koha që vendi të largohet nga “politika e lodhjes kolektive” dhe të fokusohet në ndërtimin kombëtar, ku energjia e qytetarëve të shfrytëzohet për zhvillim dhe për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Nuk ka asgjë heroike në izolim, nuk ka asgjë patriotike në prishjen e miqësive dhe nuk ka asgjë vizionare në krijimin e krizave pafund. Kosova nuk ka lindur për të qenë peng i krizave pafund, Kosova ka lindur për të qenë histori suksesi”, u shpreh Osmani.
“Ka liderë që jetojnë nga kriza, sepse pa krizë e humbin rëndësinë dhe ka liderë të cilët e bëjnë të kundërtën, e ndërtojnë besimin në shtet, e historia do t’i mbajë në mend vetëm këta të fundit. Por, vetëm të bashkuar mund t’ia dalim”, u shpreh ajo.



