Nga Presidenti Willson tek Ambasadorja Yuri Kim

Nëpërmjet një statusi në twitter Ambasadorja Amerikane në Shqipëri Yuri Kim, do të revokonte në mënyrë shumë elegante, por edhe me shumë modesti dhe diplomaci, atë që kishte bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët Presidenti i 28-të i SHBA-se Woodrow Willson para 100 vitesh. Egzaktësisht një shekull më parë, Presidenti Willson do të shpëtonte Shqipërine nga shpërberja e mëtejshme prej lakmisë dhe orekseve prej hienash të ish-Jugosllavisë së Çubrilloviçëve dhe të Italise, orekse këto që fatkeqësisht ishin mbeshtetur edhe nga Fuqitë e Mëdha të kohës, të cilat nëpërmjet vendimeve famëkeqe të Kongresit të Berlinit (1878) dhe Konferencës së Ambasadorëve në Londer (1912-1913) kishin vendosur padrejtësisht copëtimin e mëtejshme të Shqipërisë. Humbja e Luftës se Pare Ballkanike nga Perandoria Osmane (1912) dhe përfundimi i Luftës se Parë Botërore (1918), krijuan kushtet për një ndarje të re të Ballkanit, ri-ndarje kjo që mund të sillte copëtimin e mëtejshmë të Shqipërisë dhe rrezikun real të egzistencës së shtetit të ri shqiptar të krijuar në vitin 1912. Kuptohet që situate brenda vendit ishte e ngjashme me situaten sot, krizë shumëplanëshe, me një klasë politike komplet të përçarë, pothuajse pa asnjë lloj lobingu, përfaqësimi apo prezence në kancelaritë perëndimore. Në këto kushte kur rrezikohej seriozisht egzistenca jonë kombëtare, Presidenti Willson do të shpaloste parimin bazë të “self-determination”, parim demokratik ky që presupozonte dhe parashikonte të drejtën edhe te kombeve-vendeve te vogla për vetë-vendosje, per sovranitet. Ky parim që do të bëhej pjesë themelore e të drejtës ndërkombëtare (jus cogens rule), do të pranohej edhe nga Kombet e Bashkuara, aty ku edhe Presidenti Willson do të bënte mbrojtjen e këtij parimi tepër të rëndësishëm dhe jetik për vendet e vogla, dhe specifikisht për Shqipërinë. Ky parim do të bazohej në të drejtat dhe mundësite e barabarta, në të drejtën që kombet do të kishin për të zgjedhur dhe vendosur vetë për sovranitetin dhe statusin e tyre politik ndërkombëtar pa ndërhyrje nga jashtë. Willsoni do të citonte se “aspiratat e kombeve duhen respektuar dhe se popujt mund të drejtohen vetëm nga vullneti i tyre i lire”, dhe se ky parim “self determination” “nuk është vetëm një frazë teorike por një princip imperativ veprimi”. Ky princip u përfshi më vonë në Kartën e Atlantikut gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941) nga Presidenti Amerikan Rusvelt dhe Kryeminsitri Britanik Churchill. Sot e kësaj dite, në respekt të këtij parimi, kombet-vendet e vogla jo vetëm që nuk u zhduken nga hartat gjeo-politike, por mbijetuan, prosperuan dhe zhvillohen po njësoj sikurse edhe kombet më të mëdhenj. Bazuar në këtë parim esencial, ish-republikat e ish-Jugosllavisë (ndonëse të vogla në territor dhe popullsi) do të fitonin pavarësite e tyre ne vitet 1990 (Sllovenia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegnovina) dhe Mali i Zi ne vitin 2006. Ishte po ky parim bazik, vlerat më të mira të demokracisë amerikane si dhe respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut që shtynë Presidentin Amerikan Bill Clinton që të inicionte në vitin 1999 ndërhyrjen ushtarake SHBA-NATO kunder represionit dhe masakrave të regjimit kriminal të Milloshevicit, duke respektuar aspiratën dhe të drejtën e popullit të Kosovës për vetë-vendosje, nderhyrje që coi në clirimin e Kosovës nga okupacioni serb 100 vjecar. Bazuar në këtë parim Presidenti Amerikan Xhorxh Bush do të shpallte në Tiranë në vizitën e tij historike të 10 Qershorit 2007 (në 129-vjetorin i Lidhjes Shqiptare te Prizrenit 1878), të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetë-vendosje si dhe do të mbronte të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, dhe SHBA do të ishte nje nder shtetet e para që do ta njihte këtë pavarësi. Edhe sot politika amerikane e Presidentit Donald Trump bazohet në këtë parim themelor, gjë që sic është shprehur edhe nga lidershipi politik amerikan duhet të orientojë edhe negociatat e ardhëshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për reciprocitet dhe njohje reciproke, duke respektuar plotësisht parimin e sovraniteteit, gjë që presupozon pikë së pari respektimin e integritetit dhe tërësisë territorial sipas kufinjëve egzistues, të njohur ndërkombëtarisht nga rreth 115 vende dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtesise. Faleminderit SHBA për atë që keni bërë dhe po bëni për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët, gjë për të cilën ne si komb do t’iu jemi mirënjohës per jete!

Tirane, 10 Mars 2020