‘Nga 12 mijë euro në 28 mijë’/ Si e detyroi Kismet Krasniqi viktimën t’i paguajë dyfishin e parave duke i thyer edhe krahun

Kismet Krasniqi është njëri prej personave i cili po hetohet nga Prokuroria Themelore në Pejë për veprat penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’.

Dosja e Prokurorisë që e ka siguruar InDoks për të dyshuarin, Kismet Krasniqi zbulon se ai më herët njihej si Isë Alimusaj, por nuk sqaron se si dhe pse e ndryshoi emrin.

Krasniqi, dyshohej se që nga gushti i vitit 2020 e tutje në Pejë në vazhdimësi ka kontraktuar shuma jo proporcionale me pasurinë e tij në këmbim të shërbimit për personin tjetër duke e shfrytëzuar gjendjen e tyre financiare.

Kismet Krasniqi dyshohet se të dëmtuarit M. I nga Peja ia shet një veturë të tipit ‘Audi A6’ në shumën prej 12 mijë euro të cilën duhet ta paguaj brenda pesë muajsh.

Meqë viktima nuk kishte qenë i rregullt në pagesë “ai në emër të vonesës e detyron t`ia paguaj 1200 euro në muaj fajde. Në këtë mënyrë nga 12 mijë euro sa kishte blerë veturën, Krasniqi ia kërkon shumën prej 28 mijë eurosh”, thuhet në këtë dosje.

Krasniqi sipas prokurorisë i vendosë një kamatë prej 10%. Duke e detyruar viktimën të paguaj mbi 1000 euro kamatë për vonesat.

Prokuroria e përshkruan Kismet Krasniqin edhe si brutal.

“Kur viktima përveç shumës prej 3 mijë euro të cilat ia jep në periudha të ndryshme nuk mund t`ia kthejë Krasniqi e sulmon duke ia thyer krahun e majtë, të cilin rast nuk guxon ta paraqes në polici dhe vazhdon t`ia kërkoj edhe më tej shumën prej 28 mijë euro në emër të kamatave dhe borxhit kryesor”, thuhet në dokumentet e Prokurorisë.

Në këtë rast përmendet edhe një i dyshuar tjetër që u arrestua këtë javë nga policia në aksionin e madh për fajde, Valon Kastrati.

Të njëjtën veturë që e kishte blerë viktima M.I sipas prokurorisë, ai detyrohet t`ia shes një pale tjetër në shumën prej 10 mijë euro.

Nga shumë prej 10 mijë euro, 4000 mijë euro i merr, në këtë rast ishte Valon Kastrati sipas prokurorisë. Ndërsa 6000 euro të veturës i merr viktima.