Netanyahu thotë se Izraeli ka shkatërruar dy të tretat e regjimenteve të Hamasit

Izraeli ka shkatërruar rreth dy të tretat e regjimenteve luftarake të Hamasit në Gaza, tha të enjten kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke u zotuar se do të vazhdojë me luftën deri në “fitoren e plotë”.

“Ka dy faza në luftime, e para është shkatërrimi i regjimenteve të Hamasit, ato janë kornizat e tyre të organizuara luftarake”. tha Netanyahu në një konferencë shtypi në Tel Aviv.

“Deri më tani gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë nga njëzet e katër janë shkatërruar. Pas kësaj është (faza) e pastrimit të territorit (nga militantët). Veprimi i parë është zakonisht më i shkurtër, i dyti zakonisht zgjat më shumë”.

Duke mbajtur një fotografi të një ushtari të rënë izraelit, Netanyahu tha se trupat nuk do të kishin vdekur më kot dhe u zotua se luftimet do të vazhdojnë derisa Hamasi të mposhtet dhe pengjet në Gaza të lirohen.

“Fitorja do të marrë shumë muaj të tjerë, por ne jemi të vendosur ta arrijmë atë,” tha Netanyahu, shkruan Reuters.