Nesimi: Përse për ligjet të mos votojnë online edhe qytetarët?

Ditët e fundit u ngritën shumë dilema në lidhje me çështjen e votimit online të deputetëve, por një këndvështrim mbi raportin ndërmjet votimit online dhe demokracisë është interesant.
Në demokraci nëpërmjet sistemit të votimit qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe deputetëve ua delegojnë vullnetin e tyre. Pastaj deputetët shkojnë në Parlament, ku përfaqësojnë qytetarët. Pasiqë logjikisht salla e parlamentit nuk i nxë të gjithë qytetarët, prandaj ata duhet të zgjedhin një numër të caktuar të deputetëve të cilët pastaj votojnë në emër të qytetarëve.
Por nëse vëndohet sistemi online i votimit dhe deputetët nuk do të duhet të shkojnë në parlament por do të votojnë nga shtëpia, atëherë parashtrohet pyetja: Pse për ligjet të mos votojnë online edhe qytetarët nga shtëpitë e tyre, njëjtë si deputetët?!
Kështu secili ligj do të kishte qenë edhe një lloj referendumi, vendimmarrja do të ishte më e mirë dhe demokracia do të arrinte nivelin më të lartë të saj, posaçërisht kur të kemi parasysh që fjala demokraci domethënë sundim i popullit.
Me siguri që votimi online i qytetarëve njëherë për njëherë do të ngelë vetëm një utopi, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por në mbarë botën. Por, me zhvillimin e mëtejmë të teknologjisë, ndoshta në një të ardhme do të bëhet realitet.

Florian NESIMI