Nesër në Kuvend, votimi i qeverisë së re të Kosovës

Është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas rreth 4 muajsh negociata. Me marrëveshjen me të cilën në fakt palët nuk janë marrë vesh për programin dhe ndarjen e posteve, krerët e dy partive, Albin Kurti e Isa Mustafa zotohen ta sjellin ndryshimin politik, të kërkuar nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit. Dy partnerët e koalicionit do të kenë nga 6 ministri dhe një zv/kryeministër, ndërsa 3 ministri do t’iu ndahen pakicave.

U dakorduam që të takohemi edhe nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës, por për ta zgjedhur qeverinë e re. Dhe në këtë mënyrë ta jetësojmë institucionalisht ndryshimin e madh politik të 6 tetorit. Ne tashmë e kemi nënshkruar marrëveshjen e jemi marrë vesh për të gjitha, përveç se për harmonizimin e programit dhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverise së re ku ne do të bashkëqeverisim”-tha Albin Kurti, Vetëvendosje.

Ne kemi arritur marrëveshje. Vlerësojmë se është një marrëveshje e mirë, që është në dobi të Kosovës, është në interes të ndryshimeve të cilat domosdoshmërish duhet të ndodhin në vendin tonë. Vlerësoj se marrëveshja është rezultat i mirëkuptimit dhe një pune të përbashkët mjaft të gjatë me liderin e LVV-së, Albin Kurtin, por edhe me bashkëpunëtorët e tij”-pohoi Isa Mustafa, LDK.

Kurti e Mustafa thonë se për çështjen kontestuese rreth Presidentit të ardhshëm të vendit do të dakordohen kur të vijë koha, ndërsa kryeparlamentari në detyrë nga Vetëvendosja do t’ia lëshojë vendin të zgjedhurit të LDK-së.

Nuk do të jap dorëheqje kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Ai do të vijë në ekzekutiv. Është e vërtetë që ka pasur një lloj zgjatje për shkak të interesimit të madh dhe interesimi është i madh sepse nevojat e qytetarëve janë të mëdha. Ne duam të bëjmë një reformë që është e pesëfishtë, në ekonomi, arsim, shëndetësi, siguri e drejtësi”-tha Albin Kurti, Vetëvendosje.

Parimisht ne që nga fillimi kemi thënë se kryetarin e Kuvendit do ta merr ai ose ajo të cilit ose të cilës Lidhja Demokratike e Kosovës ia ka dhënë besimin.”-pohoi Isa Mustafa, LDK.

Me votimin e nesërm në Kuvend, Kurti pritet të udhëheq ekzekutivin më të vogël të Kosovës që nga pavarësia, me 2 zv/kryeministra, 15 ministra e 33 zv/ministra, derisa Qeveria paraprake kishte 21 ministra dhe 80 zv/ministra. Zgjedhjet e 6 tetorit sollën fitoren e ngushtë të dy partive opozitare, me ç’rast e para doli VV, ndërsa e dyta LDK. Por bashkë-qeverisja mes dy partive dukej gjithnjë e më larg, pasi dështuan shumë raunde negociatash e sidomos pasi Vetëvendosja befasoi me zgjedhjen e Glauk Konjufcës në krye të ligjvënësit, në kohë kur LDK-ja këmbëngulte për postin e kryeparlamentarit.