Nënshkruhet marrëveshja për energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi është miratuar nga ana e palës kosovare dhe asaj serbe.

Kështu ka njoftuar emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me anë të një postimi në ‘Twitter’, shkruan lajmi.net.

“Me kënaqësi të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është hap i madh përpara”, ka thënë Lajçak.

Pikë tjetër e rendit të ditës në takimin ndërmjet Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe drejtorit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, do të jetë edhe çështja e të pagjeturve.

 

Udhërrëfyesi i Zbatimit të Marrëveshjeve të Energjisë:

Me qëllim të tejkalimit të krizës dhe problemeve në sektorin e energjisë, duke marrë parasysh Marrëveshjet në lidhje me Energjinë e datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshja e Energjisë 2013”), dhe konkluzionet e fascilituesit BE për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë 2013 të 25 gushtit 2015 (“Marrëveshja e Energjisë 2015”), palët kanë rënë dakord për Udhërrëfyesin e mëposhtëm:

  1. ZRRE do t’i lëshojë licencën për furnizim Elektrosever. ZRRE do të sigurojë pajtueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.
  2. Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, përmes BE-së.
  3. Brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun e energjisë së Kosovës, gjegjësisht Marrëveshjen Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshjen për Detyrimn e Bilancit me KOSTT-in, Marrëveshjën e Kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe kyçja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të nenit. 5 të Marrëveshjes 2013.
  4. Brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSTT-in, Elektrosever do të marrë Kodin e Identifikimit të Energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parapara me licencën e furnizimit.
  5. Në përputhje me Art. 14 të Marrëveshjes për Energji të vitit 2015, brenda 30 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT (nën lehtësimin e BE-së, nëse kërkohet) do të kenë qasje në nënstacionin Valac/Vallaq, si dhe në infrastrukturën tjetër të transmisionit dhe shpërndarjes.
  6. Brenda 45 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, KOSTT dhe KEDS, pas konsultimit me Elektrosever, do të dorëzojnë në ZRRE planin e investimeve dhe kostot e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.
  7. Brenda 21 ditëve pas dorëzimit të planit të investimit dhe shpenzimeve të kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjeve të rrjetit, ZRRE do të aprovojë në parim këto plane, kosto dhe humbje.
  8. Në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre Konkluzioneve të rënë dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, ZRRE mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Elektrosever, me kusht që të konsultohet paraprakisht ndërmjet palëve. lehtësuar nga BE-ja, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh. BE-ja do të japë një opinion ekspert, nëse kërkohet nga të paktën njëra nga palët.
  9. Zbatimi i suksesshëm i udhërrëfyesit të rënë dakord është pa paragjykim ndaj detyrimeve të palëve për të zbatuar plotësisht Marrëveshjet e Energjisë nga 2013 dhe 2015.

21 qershor 2022.