“Në Shkup testi Covid 118 denarë, në Prilep për 420”/ Me para për mbrojtje nga Koronavirusi, blihet makinë me timon lëkure

Një veturë me timon lëkure, me 6 altoparlantë dhe ngjyrë metalike që bëhet vetëm me porosi. Kjo është vetëm një gjë që është blerë nga paratë që ishin dedikuar për mbrojtje nga koronavirusi. Janë blerë edhe kompjuterë, formularë dhe produkte të tjera që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me pandeminë, tregon raporti i Qendrës për Komunikime Civile.

“Ta lëmë anash Covidin, por vetura të këtilla nuk duhet të blihen, sepse ngjyra e veturës dhe timoni lëkure nuk kanë asnjë lidhje me funksionimin e një veture. Kështu që, për nevoja private çdokush mund të blejë cilëndo veturë, por paratë e popullit me të vërtetë duhet të shpenzohen në mënyrë racionale.”- deklaroi German Filkov, Qendër Për Komunikime Civile.

Nuk përfundon me kaq. Një maskë mbrojtëse nga virusi korona, në një institucion është blerë për 3, e në disa të tjera për madje 104 denarë. Situata është e ngjashme edhe me testet. Në Shkup një test blihej për 118, kurse në Prilep për 420 denarë.

“Më tej, tani del në pah, të them një problem të kamotshëm në shëndetësi. Varësia e madhe e institucioneve shëndetësore nga firmat që iu ofrojnë reagensët për aparatet, të cilat paraprakisht ata iu kanë dhënë, më së shpeshti bëhet fjalë për një kompani në tender dhe çmimet i dikton ajo firmë dhe janë shumë të larta.”- pohoi German Filkov, Qendër Për Komunikime Civile.

Gjatë pandemisë Covid, sipas ueb-faqes së Ministrisë së Shëndetësisë “Covid-19 transparenca financiare” kanë mbërritur 1.567 donacione në vlerë të përgjithshme prej mbi 12 milionë eurove.

“Që në fillim të pandemisë, në fazën e hershme, ne dhe institucionet ndërkombëtare në mënyrë të veçantë treguam dhe apeluam për një evidencë të mirë sa i takoj asaj se kujt do t’i jepet ndihmë për Covid, pse dhe sa do t’i jepet. Pastaj ata të na kthejnë informacion nëse kanë pranuar kaq dhe a është kryer puna, por te ne nuk ka evidencë të këtillë.”- tha German Filkov, Qendër Për Komunikime Civile.

Në këtë raport, mes të tjerash, nënvizohet se edhe pas më shumë se një viti nga fillimi i krizës, furnizimet publike numërojnë shumë probleme dhe rreziqe për korrupsion./TV21