Në rast të një lufte NATO-Rusi, admirali amerikan tregon se cila duhet të jetë lëvizja e parë e Aleancës

Ish-shefi i NATO-s në Evropë pohoi se vendet e aleancës duhet të neutralizojnë menjëherë qytetin strategjik rus në rast të një konflikti me Rusinë.

Në rast të një konflikti të armatosur midis Rusisë dhe NATO-s, trupat e Aleancës së Atlantikut të Veriut do të duhet të neutralizojnë Kaliningradin, ka thënë ish-shefi i NATO-s në Evropë, James Stavridis.

“Në rast lufte, Kaliningradi do të duhet të neutralizohet për të parandaluar që forcat tokësore ruse – me gjasë që veprojnë përmes shtetit vasal të Moskës, Bjellorusisë – të marrin kontrollin e korridorit kritik Suvalki, i cili kalon përgjatë kufirit midis Lituanisë dhe Polonisë”, pohoi admirali në pension i marinës amerikane për Bloomberg.

Ai tha se NATO mund të përdorë Detin Baltik për të bërë presion mbi Kaliningradin, i cili është një “pikë gjeografike” midis anëtarëve të tjerë të aleancës.

Ish-ushtaraku amerikan shtoi se pjesa më e madhe e Flotës Baltike është e bazuar në rajonin e Kaliningradit dhe vetë qyteti pret forca të konsiderueshme ajrore dhe raketore ruse.

Por, me anëtarësimet e fundit të Suedisë dhe Finlandës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, Deti Baltik është quajtur “liqeni i NATO-s”.

Një vështrim në një hartë tregon që është kryesisht (por jo plotësisht) e vërtetë – vija bregdetare ka disa copëza të territorit rus. Pjesa tjetër e bregdetit është në duart e NATO-s: Suedia, Finlanda, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Gjermania dhe Danimarka.

Rusia kontrollon një pjesë të bregdetit midis Lituanisë dhe Polonisë për shkak të enklavës së saj të çuditshme të Kaliningradit. Presidenti rus, Vladimir Putin ka nën kontroll cepin e largët lindor të Detit Baltik dhe për ironi dikur mendohej se ishte “dritare drejt botës perëndimore” nga carët duke filluar me Pjetrin e Madh.

Sot, në rast të një konflikti midis Moskës dhe NATO-s, çdo anije luftarake ruse atje do të shkatërrohej shpejt dhe lehtë.

Ndryshe, një ndër zyrtarët kryesor të NATO-s kishte paralajmëruar kohë më parë qytetarët në Perëndim se duhet të përgatiten për luftë të gjithanshme me Rusinë.

Admirali holandez, Rob Bauer, kryetar i Komitetit ushtarak të NATO-s, tha se gjersa tashmë forcat e armatosura po përgatiten për shpërthimin e një lufte, qytetarët duhet të jenë gjithashtu gati për një konflikt që do të kërkonte një ndryshim të rëndësishëm në jetën e tyre.