Në politikën shqiptare në Maqedoni ka edhe Albin Kurta edhe Kadri Vesela!

Agim Surroi
Edhe pse bëhet fjalë për dy shtete të ndryshme, krahasimet mes zgjedhjeve të zhvilluara në Kosovë dhe atyre që po vijnë në Maqedoni, janë të pashmangshme. Veçanërisht të pashmangshme janë krahasimet mes garës zgjedhore kosovare që e fitoi Vetëvendosja dhe garës zgjedhore që pritet të zhvillohet mes partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ngjashmëria është e madhe dhe e vetëdeklaruar në shumë raste nga të dy palët. Edhe me deklarata edhe me fotografi.
Prandaj çdokush që merr guximin të dalë e të thotë se në Maqedoni nuk kemi ndonjë Albin Kurti, e nënçmon intelegjencën e votuesit të këtushëm shqiptar. Ai e konsideron veten shumë të mençur, kurse shqiptarët e Maqedonisë i konsideron të padijshëm dhe të manipulueshëm, prandaj ua mohon të drejtën që vetë të vlerësojnë nëse kemi apo nuk kemi Albina.

Shyqyr që ekzistojnë fotografitë dhe shumë qartë tregojnë se në politikën shqiptare në Maqedoni kemi edhe Hashim Thaça, edhe Kadri Vesela, edhe Xhavit Halita, por kemi edhe Albin Kurta.
Edhe në Kosovë edhe në Maqedoni kemi struktura që devijuan dhe manipuluan për interesa personale luftën e UÇK-së, si dhe kemi parti që qartazi theksojnë se do të luftojnë kundër korrupsionit të strukturave që keqpërdorën emrin e UÇK-së, kurse për interes personal dhe material, bashkëpunuan me strukturat më antishqiptare serbe dhe maqedonase.
Kauza e të parëve të lartpërmendur ishte dhe është që edhe më tej të ruajnë përfitimet materiale në kurriz të shqiptarëve, kurse të dytët luftojnë korrupsionin e të parëve të lartpërmendur.
Meqë në Kosovë fitoi Vetëvendosja që luftonte korrupsionin e strukturave që keqpërdorën emrin e UÇK-së për pasurim personal dhe grupor, edhe te shqiptarët në Maqedoni është reale të pritet se do të fitojë e njëjta kauzë.