Pr/ndryshimet e ligjeve për TVSH dhe për akcizat futen në rend dite të Kuvendit

Me 92 “pro” asnjë “të përmbajtur”, dhe asnjë “kundër”, Kuvendi e miratoi rendin e ditës nga seanca e 67-të, në të cilën u vendosën dy pika, propozim-ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Tatimin e Vlerës së Shtuar dhe Ligjit për akciza të dyja me procedurë të shkurtuar.

Zëvendësministri i Financave Filip Nikollovski, duke e arsyetuar nevojën e miratimit të ndryshimeve dhe plotësimeve të këtyre dy ligjeve me procedurë të shkurtuar, tha se ato duhet të miratohen për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve, me qëllim që qytetarët dhe bashkësia e biznesit të përshtaten në kushtet e reja.

“Propozohet që Kuvendi të debatojë dhe ta miratojë Propozim-ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Tatimin e Vlerës së Shtuar, me procedurë të shkurtuar, për arsye se ai e ka një qëllim të vetëm, zbutjen e pasojave nga rritja enorme e çmimit të energjisë dhe të prodhimeve ushqimore bazë në bursat botërore, që po vërshon edhe tek ne. Me këtë do ta mbrojmë standardin jetësor të qytetarëve, veçanërisht të atyre nga kategoritë e rrezikuara, te të cilët pjesëmarrja e prodhimeve ushqimore bazë është dominante në shportën konsumatore”, tha Nikollovski.

Ai informon se në 10 ditët e fundit janë bërë analiza në suaza të ekipit të ekspertëve të Qeverisë së bashku me odat ekonomike, bashkësinë e biznesit, me qëllim që të vjen deri te zgjidhja më e mirë, Nikollovski apeloi sa më shpejtë të miratohen propozim ligjet për TVSH-në dhe për akcizat.

Në vërejtje procedurale, koordinatori i OBRM-PDUKM-së, Nikolla Micevski tha se grupi i tyre i deputetëve ka paraqitur propozime për ndryshime dhe plotësime të ligjeve të njëjta më 28 shkurt, por, për dallim nga propozimet e Qeverisë, ato nuk u vunë menjëherë në rend dite.

“Nëse me të vërtetë Qeveria dëshironte të zbutet goditja e çmimeve, shumica qeveritare do t’i pranonte propozimet tona, po të mos kishim humbur këto 12 ditë, por me amendamente do të reagonte në zgjidhjen ekzistuese ligjore. Në atë mënyrë, do të zgjidhnit turmat para pompave të benzinës, panikun mes njerëzve, pasigurinë te qytetarët. Gjithë kjo shkon në llogarinë tuaj”, tha Micevski.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se, sipas procedurës, propozimet e grupit të deputetëve të OBRM-PDUKM-së janë vendosur në rend dite në seancën e parë të ardhshme, ndërsa kjo është caktuar për më 15 mars.

“Në ndërkohë, si arsye për gjendjet, lëvizjet dhe pasojat, Qeveria u paraqit me propozim-ligje, të cilat janë urgjente dhe vendosa sot të mbajmë seancë në orën 15:00. Në ndërkohë, gjendjet morën një vrull dhe ndërhyrje dhe Qeveria si propozues i autorizuar, vendosi të intervenojë urgjentisht”, sqaroi Xhaferi.

Koordinatori i LSDM-së Jovan Mitreski tha se situata është shumë serioze që të kapen pikët politike.

“Në një gjendje të tillë serioze në botë dhe tek ne, të imponuar nga ajo që ndodh në Ukrainë edhe paraprakisht me krizën energjetike, të gjithë së bashku duhet të mendojmë se cilat janë pasojat e vendimeve të cilat i sjellim së bashku”, theksoi Mitreski.

Ai tha se sot në rend dite janë dy pika, ndryshimet e ligjit për TVSH-në dhe të ligjit për akciza, të cilat janë pjesë e pakos së 26 masave të cilat Qeveria i miratoi sot së bashku me odat, së bashku me sindikatat dhe konsumatorët, së bashku sepse të gjithë i ndjejnë pasojat e kësaj krize të imponuar evropiane dhe ekonomike dhe bëri thirrje që Kuvendi të futet në procedurë të miratimit të këtyre ligjeve dhe të vazhdojnë të gjitha masat tjera.

Pas miratimit të rendit të ditës, kryetari i Kuvendit e obligoi deputetin Bojan Stojanovski të kryesojë me Komisionin për financim dhe buxhet, i cili, si trup amë, për momentin mban seancë me dy propozime. Deputetëve u është dhënë afat deri në orën 17:30 të reagojnë në propozim-ligjet e amendamenteve.