Ndryshe nuk bën

Shkruan: Blerim Shala

Asgjë nuk e përshkruan dhe shpjegon më mirë gjendjen (komatoze), të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, sesa rrëfimi tragji-komik i javëve të fundit për letrat e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Brnabić, të cilat kjo i ka dërguar në adresë të EEAS-it në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Letrat ekzistojnë, dhe relevanca e tyre është vendimtare në interpretimin e pozicionit të Serbisë karshi Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të Ohrit, dy dokumenteve bazë, zbatimi i plotë i të të cilëve do të krijonte rrethana fare të reja (pozitive) për ecjen para drejt normalizimit të raporteve të Kosovës dhe Serbisë. Në atë rast, do të mbetej vetëm edhe njohja formale në mes të dy shteteve, e cila do ta rrumbullakësonte këtë ndërmarrje ndërkombëtare të BE-së dhe SHBA-së.

Por, siç e dimë të gjithë, ne jemi larg, shumë larg këtij epilogu të bisedimeve.

Në të vërtetë, as që dihet se ku jemi në këtë proces, sepse nëse lexohen Letrat e ish-Kryeministres Brnabić, del që Beogradi asnjëherë nuk i ka pranuar në tërësi Marrëveshjen Themelore dhe detyrimet që dalin për Qeverinë e Serbisë nga kjo Marrëveshje.

Pala kosovare me të drejtë konstaton që kjo qasje e Qeverisë së Serbisë dhe e Presidentit Aleksandar Vučić është mohim dhe refuzim i Marrëveshjes Themelore, prandaj kërkon që Beogradi zyrtar t’i tërheq dhe zhvlerësojë këto letra, ekzistenca e të të cilave është e padiskutueshme.

Gjatë vizitës së tij të para disa javëve në Prishtinë, në përpjekjet e tij për ta përgatitur sa më mirë që është e mundur takimin tjetër në nivel pune në mes të dy palëve në Bruksel, EUSR Lajčak para gazetarëve të Kosovës konstatoi që Brnabić i ka tërhequr letrat.

Ky padyshim dukej një ogur i mirë për rrjedhën e mëtejme të këtij procesi i cili gjithsesi është i rëndë dhe i koklavitur.

Por në ditët vijuese, vet Brnabić, ish-Kryeministrja e Serbisë, refuzoi të deklarohet fare për këtë temë, kur u pyet nga mediat serbe në Beograd.

Pastaj, vet Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, e bëri cirk të mirëfilltë këtë çështje, duke thënë se ai nuk di a ka shkruar fare letra vartësja e tij (e cila në ndërkohë është bërë Kryetare e Kuvendit), dhe çka ka ndodhur në këtë kontekst.

Nuk ka politikan në Perëndim që i beson Presidentit të Serbisë në këtë rast. Dihet që Brnabić nuk guxon, si thuhet, as të marrë frymë pa e lejuar atë Vučić.

Megjithatë, duket që pika kulmore e këtij kallëzimi u mbërri në Bruksel, kur në takimin bilateral që EUSR Lajčak pati me Zëvendës-Kryeministrin Besnik Bislimin, kryenegociatori i BE-së mohoi atë që e pati pohuar pak ditë më parë në Prishtinë, që ish-Kryeministrja e Serbisë njëmend i ka tërhequr letrat e saja drejtuar EEAS-it.

Lajčak theksoi se po punohet në këtë drejtim.

Në këtë mënyrë pra, jo vetëm që u kuptua që nuk ka kurrfarë ndryshimi në qëndrimin e Beogradit zyrtar ndaj këtyre letrave, por, për më shumë, u mor vesh që vet lehtësuesi i këtij dialogu, Brukseli zyrtar nuk e ka idenë se çka duhet bërë tash e tutje në lidhje me këtë rrëfim që në realitet, i godet vet themelet e Marrëveshjes Bazike dhe të Aneksit të Ohrit.

Duket që porosia që po i dërgohet palës kosovare nga ana e EUSR-së është që Prishtina nuk dihet fare të mërzitet dhe as të shqetësohet me këto letra, apo që duhet të veprojë dhe të sillet thuajse ato nuk ekzistojnë fare.

Por, deklaratat, veprimet dhe sjelljet e pushtetit të Serbisë, që nga marsi i vitit të kaluar, kur u dakordua Aneksi i Ohrit (pasiqë pak javë më parë ky pajtim ishte bërë në Bruksel, me Marrëveshjen Themelore), janë plotësisht në pajtim me përmbajtjen e këtyre letrave të cilat u dërguan në dhjetor të vitit 2023.

Politika publike e Serbisë iu parapriu përmbajtjes së këtyre letrave, dhe jo anasjelltas.

Letrat duhet gjithsesi të zhvlerësohen, teksa pushteti i Serbisë patjetër duhet të ndryshojë, në mënyrë substanciale qasjen ndaj gjithë këtij procesi, duke konstatuar që çdo pikë, çdo nen, çdo fjalë e Marrëveshjes Themelore është detyruese për zbatim për te dy palët.

Ndryshe nuk bën.