“Ndihem i gatshëm”, Ronaldo tregon pse Portugalia e meriton ta fitojë Kampionatin Evropian 2024

Cristiano Ronaldo ka shpjeguar pse Portugalia “e meriton” që ta fitojë Kampionatin Evropian 2024 para kombëtareve si Anglia dhe Franca.

Portugalia gjendet në grupin F së bashku me Turqinë, Gjeorgjinë dhe Republikën Çeke teksa ata do ta nisin kampanjën e tyre të martën.

Përzgjedhësi Roberto Martinez ka në radhët e tij një ekip të mbushur me yje, duke filluar nga dyshja e Manchester Cityt, Bernardo Silva dhe Ruben Dias, e deri tek Bruno Fernandes dhe të tjerët.

Ronaldo beson se kjo gjeneratë e futbollistëve të Portugalisë e meriton ta fitojë Kampionatin Evropian 2024.

“Unë besoj se kjo gjeneratë e meriton ta fitojë një garë të kësaj përmase. Gjysmëfinalet? Shpresoj që mund të shkojmë më tutje”, ka thënë Ronaldo fillimisht.

“Ne duhet të shkojmë hap pas hapi, jetojmë me momentin, jemi të qetë, punojmë mirë ashtu siç kemi bërë deri më tani dhe besojmë se kjo është e mundur. Ne e dimë se është një garë e shkurtër, por ekipi është i gatshëm”.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë do të luajë në këtë garë për herë të gjashtë në karrierën e tij dhe do të synojë ta shtojë edhe një tjetër trofe të Kampionatit Evropian në koleksionin e tij.

“Unë e shijoj futbollin, rekordet janë një pasojë, jo një qëllim, ato vijnë në mënyrë natyrale. Është hera ime e gjashtë që do të luajë në Kampionatin Evropian dhe ka të bëjë që ta shijosh atë në mënyrën më të mirë të mundshme, të luash mirë dhe të sigurohesh që ekipi mund të fitojë”, u shpreh ai.

“Ka të bëjë që të kesh nëj fillim të mbarë diçka që është esenciale. Unë ndihem i gatshëm dhe e kam përgatitur veten për këtë garë”, përfundoi Ronaldo.