“Ndeshjet pa tifozë s’kanë shpirt”

Pasi më herët e kishte përjetuar zhvillimin e ndeshjeve prapa dyerve të mbyllura gjatë kohës së tij si trajner i Egjiptit, trajneri i Los Angeles FC, Bob Bradley, thotë se ndeshjet që zhvillohen pa tifozë të pranishëm në stadium nuk kanë “shpirt”.

Liga elitare e futbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Major League Soccer (MLS), është për momentin e suspenduar shkaku i koronavirusit, ngjashëm si me aktivitetet e tjera sportive jo vetëm në Amerikë, po kudo në botë, transmeton Gazeta Express.

Në javët që kur është pezulluar liga, MLS vazhdimisht ka bërë tentime për t’iu kthyer normalitetit dhe për ta luajtur një sezon të plotë, megjithatë ndeshjet pritet të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura, pasi që përderisa ende nuk është gjetur një vaksinë për ta parandaluar Covid-19, cilësohet e rrezikshme të grumbullohen dhjetëra mijëra tifozë brenda një stadiumi.

Pasi e kishte përjetuar zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë sa ishte trajner i Egjiptit pas incidentit në stadiumin Port Said, Bradley tha se ndeshjet pa tifozë e kanë një lloj fryme tjetër dhe këtë e vërejnë të gjithë ata që janë të përfshirë.

“Ndeshja e parë kualifikuese në Aleksandria kundër Mozambikut u luajt në një stadium bosh. Ishte një ndjenjë e çuditshme. Unë e mbaj mend se ishim stërvitur në stadium një natë më parë, ne u grumbulluan në një rreth dhe thamë: “Tentoni t’i shikoni tribunat dhe t’i imagjinoni 90 milionë egjiptianë aty sepse nëse ata do ta kishin pasur mundësinë, do të kishin ardhur të gjithë” dhe të gjithë e dinim që ajo lidhja me tifozët ishte kyçe”, ka thënë Bradley.

“Ndeshjet pa tifozë janë të mërzitshme disi, por ne jemi në një kohë të paprecedentë dhe unë e di që këto lloj diskutimesh do të çojnë drejt zhvillimit të ndeshjeve pa tifozë të pranishëm. Por, ka mënyra se si të qëndrojmë të lidhur me tifozët”.

“Ne duhet të gjejmë mënyra për t’u përshtatur me këto periudha të vështira dhe kjo nuk është diçka që do ta kishte dashur ndonjë futbollist në botë. Në realitet, një ndeshje pa tifozë nuk ka shpirt, por, siç thashë, kjo është më ndryshe, ne duhet ta gjejmë një mënyrë për ta mbajtur lidhjen me tifozë”.