Zëvendëpresidenti i FIFA-s, Victor Montagliani, ka thënë se ka gjasa që të mos ketë ndeshje të përfaqësueseve në futboll deri në vitin 2021, për shkak të kufizimeve të udhëtimeve shkaku i pandemisë së koronavirusit e po ashtu për t’i dhënë mundësinë garave të klubeve që të përfundohen.
Montagliani është president i Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Veriut, të Mesme dhe Karaibeve (CONCACAF), ndërsa edhe drejton grupin punues të FIFA-s për të formuluar planin për t’u përballur me ndikimet e koronavirusit në futboll.
FIFA ka anuluar ndeshjet e përfaqësueseve të parapara të luhen në mars dhe qershor. Montagliani beson se edhe ndeshjet e shtatorit, tetorit dhe nëntorit, mund po ashtu të anulohen.
Përfaqësuesja e Kosovës po pritet të luajë në vjeshtë ndeshjen gjysmëfinale të plejofit për Kampionatin Evropian kundër Maqedonisë së Veriut e po ashtu edhe ndeshjet e Ligës së Kombeve.
“Unë personalisht mendoj se do të jetë sfidë e madhe, jo vetëm për shkak të çështjes së shëndetit nëpër botë, por edhe për të bërë udhëtimeve ndërkombëtare menjëherë pas kthimit të futbollit. Mendoj se futbolli vendor është prioritet. Shtatori ende është i hapur, por do të them se nuk jam i sigurt nëse ka bazë solide duke marrë parasysh se si po rrjedhin gjërat”, ka thënë Montagliani në intervistë për agjencinë “AP”, transmeton Koha.net. “Jam i sigurt se dritarja e marsit të vitit 2021 është në rregull. Prioritet është të ndihmojmë ligat tona nacionale e më pas të shikojmë ngjarjet tona”.
Kthimi i tifozëve në stadiume mund të varet nga ajo se kur do të jetë e gatshme vaksina për COVID-19 dhe kjo mund të mos jetë deri në vitin 2021.
“Nëse marrim dritën e gjelbër për të luajtur ndeshje futbolli, unë dyshoj se ndeshja e parë do të jetë me tifozë. Nuk e shoh këtë si opsion. Do të ishte rrezik shumë i madh. Mendoj se do të shkojë me faza, njëjtë si pjesa e tjetër e shoqërisë”, ka thënë Montagliani.