Ndërpriten punimet për rikonstruimin e Parkut të Kumanovës, asnjë reagim nga këshilltarët shqiptarë (VIDEO)

Këshilltarët e partive shqiptare në Kumanovë, në fillim të muajit mars, vrapuan për të marrë meritat për nisjen e punimeve për rikonstruimin e parkut të Kumanovës, por tani që punimet janë ndërprerë asnjëri prej tyre nuk ka reaguar. Gazetari i gazetës LAJM, ka biseduar me disa banorë të lagjieve rreth parkut të qyetetit në Kumanovë, të cilët kanë thënë se punimet janë ndërprerë prej dy javësh. “Tani është bërë më keq seç ka qenë, pasi shtigjet për këmbësorët janë gërryer dhe shumica janë lënë pa asflatuar”, thonë banorët. Gjendja që e përshkruajnë banorët pasqyrohet edhe në imazhet e realizuara nga gazetari i LAJM-it. Në terren nuk vëreheshin as makineritë që u angazhuan për kryerjen e punimeve.

Më 9 mars të këtij viti, komuna e Kumanovës njoftoi se ka filluar me rikonstruimin e parkut të qytetit. Në këtë park parashikohej të ndërtoheshin shtigje të reja për këmbësorë, ulëse të reja smart, shandane solare, kënd të ri lojrash për fëmijë, hapësirë ​​për kafshë shtëpiake, fushë të re sportive, shatërvan, vende parkimi dhe platformë për organizim të ngjarje në natyrë. Por, asgjë nga këto nuk është realizuar, ndërsa komuna nuk ka bërë asnjë sqarim për ndërprerjen e punimeve.