Ndërmarrjet kineze shpejtojnë prodhimin e materialeve parandaluese për koronavirusin

Kohët e fundit ndërmarrjet prodhuese të krahinave të ndryshme të Kinës kanë shpejtuar prodhimin e produkteve dezinfektuese dhe parandaluese, për të garantuar me të gjitha mundësitë furnizimin e materialeve kundër koronavirusit.

Në fabrikën e prodhimit të dezinfektuesve të kompanisë së industrisë kimike “Luowa”, që ndodhet në Shunyi të Pekinit, punonjësit po e zhvillojnë punën e tyre me shpejtësi dhe rregullisht. Kryetari i bordit të kompanisë Zhao Jianli tha se fabrika e ka rifilluar prodhimin vetëm dy ditë pas Festës së Pranverës. Çdo ditë punonjësit punojnë në tre turne, 24 orë pa pushim, dhe vëllimi i prodhimit të dezinfektuesve është dyfishuar.

“Tani ne prodhojmë kryesisht lëngun dezinfektues ’84’. Nga 20 tonë në ditë që prodhonim më parë, tani prodhojmë 150 tonë në ditë, dhe brenda javës së ardhshme do të përpiqemi të arrijmë në 200 tonë,” tha ai.

Zhao bëri të ditur se, me rifillimin e punës të ndërmarrjeve të lëndëve të para, tani mund të garantohen lëndët e para për prodhimin e lëngjeve dezinfektuese.

Gjatë Festës së Pranverës, shumë punonjës të kompanisë “Luowa” qëndruan në Pekin dhe nuk u kthyen në vendlindje, duke u bërë forca kryesore e prodhimit. Ashtu si kompania “Luowa”, në Kinë ka edhe shumë ndërmarrje që po shpejtojnë prodhimin e tyre dhe produktet e duhura për të prandaluar virusin po dërgohen pandërprerë në Wuhan.