NBA/ Toronto nuk ka ndërmend të ndalet

Nuk kanë të ndalur kampionët në fuqi në NBA, kanadezët e Toronto Raptors që këtë mbrëmje mposhtën në “Scotia Bank Arena” Minnesotta Timberwolves me rezultatin 137-126 dhe regjistruan njëkohësisht suksesin e 15 radhazi në kampionat, duke u konsoliduar në vendin e dytë në Konferencën e Lindjes.

Kanadezët e nisën mirë fraksionin e parë, por në pjesën e dytë miqtë u kundërpërgjigjën në mënyrën e duhur dhe rikthyen baraspeshën. Vendimtar në përcaktimin e fituesit ishte fraksioni i tretë, të cilin Raptors, e fituan me rezultat të thellë dhe më pas ruajtën avantazhin.

Pascal Siakam ishte sërish protagonist për Toronto Raptors pasi arriti të shënojë 34 pikë, të rikuperojë 6 topa dhe të japë 5 asiste, ndërsa një ndeshje mjaft të mirë bëri edhe Kyle Loëry me 27 pikë, 7 rikuperime dhe 11 asiste.

Nuk fal as Los Angeles Lakers, që në “Staples Center” mposhti Phoenix Suns me rezultatin e thellë 125-100. Ky ishte suksesi i 40-ë sezonal për Lakers, në 52 takime, rezultate këto që e kanë konsoliduar skuadrën nga Los Angeles në krye të renditjes në Konferencën e Perëndimit.

Vendasit patën tërë kohës kontrollin e lojës dhe treguan superioritet ndaj Suns, duke mos e diskutuar për asnjë moment triumfin, ndërsa protagonist ishte edhe Anthony Davies, që u shpall më i miri i ndeshjes.

Dallas Mavericks vijon të kalojë një periudhë me luhatje, teksa këtë herë është mposhtur në shtëpi me rezultatin e ngushtë 119-123 nga Utah Jazz, duke pësuar humbjen e tretë në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit.

Utah bëri një gjysmë të parë të lojës në kufijtë e perfektes dhe arriti të krijojë një avantazh prej 17 pikësh, ndërsa reagimi i Dallas në gjysmën tjetër ishte shumë i mirë, por i pa mjaftueshëm për të sjellë përmbysjen e rezultatit.

Amerikani Tim Hardaway dhe letonezi Kristap Porzingis ishin sërish në një formë mjaft të mirë për Dallas këtë mbrëmje, por edhe njëherë pjesa tjetër e skuadrës stonoi dhe nuk u ngrit në nivelin e dy yjeve të ekipit.

Miami Heat i ka dhënë fund periudhës së errët prej 3 humbjesh radhazi, pasi ia doli të marrë një sukses në shifrat 11-113 në “Chase Center të San Franciscos, përballë Golden State Warriors, që zhytet sërish në krizë.

Skuadra e Miamit, e udhëhequr nga Crowder dhe Butler, kishte kontrollin e lojës në tre nga katër fraksionet, ndërsa reagimi i vendasve ishte vetëm në pjesën e tretë, çka nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e tretë radhazi.

Në sfidat e tjerë Orlando Magic fitoi me shifrat 135-126 përballë Atlanta Hawks, Brooklyn Nets triumfoi me rezultatin e ngushtë 105-106 në transfertën ndaj Indiana Pacers, ndërsa Denver Nuggets mposhti San Antonio Spurs me rezultatin 127-120.