NATO-ja në Kosovë deri sa Kosova të hyjë në NATO

Shkruan: Augustin Palokaj 

Për vite prania e NATO-s në Kosovë, më saktësisht misioni i KFOR-it, ka qenë misioni që e ka besimin më të madh të qytetarëve, pa marrë parasysh se cilën përkatësi etnike kanë. Kjo, mes të tjerash, edhe për faktin se KFOR-i është forcë, e forcës i besohet, por nga forca disa edhe kanë frikë. Nuk ka qenë e vështirë për KFOR-in të mbajë këtë nivel të besimit krahasuar me misionet e tjera jo edhe aq të suksesshme, nga administrata e UNMIK-ut e deri te misioni i EULEX-it. Edhe sot, kur ka një situatë të acaruar në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet çfarë bën EULEX-it. Ku është ai. Ku është “responderi i dytë!”. Misioni i EULEX-it vërtet është reduktuar në Kosovë. Kjo edhe me kërkesë të Kosovës, pasi janë zhvilluar institucionet shtetërore të gatshme për të marrë përgjegjësitë nga ky mision në fushën e rendit dhe ligjit. Dhe EULEX-i në Kosovë u reduktua pothuajse në detyra kryesisht të shqiptarëve, të akuzuar, të dyshuar apo të kërkuar si dëshmitarë për Gjykatën Speciale në Hagë.

Por akoma janë në fuqi aranzhimet e sigurisë mes forcave në Kosovë në raste të sfidave. Sipas atyre aranzhimeve “responderi” i parë është Policia e Kosovës. Në rast se kërcënimi rritet dhe paraqitet nevoja, ndërhyn edhe EULEX-i si “responderi i dytë” dhe vetëm në raste të rralla do të ndërhynte KFOR-i si responderi i tretë. Por në trazirat e fundit nuk u pa shumë EULEX-i. Ky “responderi i dytë” pothuajse u zhduk. Prandaj u desh angazhimi më i madh i KFOR-it për të kryer detyra që për nga natyra nuk janë ushtarake. Dhe nuk e kryen mirë këtë detyrë. Ndoshta do të ishte edhe më keq sikur KFOR-i të mos kishte ndërhyrë, por ushtarët nuk janë të stërvitur për kontrolle të tilla të turmave, prandaj edhe aq shumë ushtarë të KFOR-it pësuan nga protestuesit e dhunshëm serbë e jo nga “serbët paqësorë duarthatë”, siç pretendon Beogradi. Dhe KFOR-i në veri të Kosovës nuk ishte në gjendje të mbronte as gazetarët e ka raporte që as nuk ka dashur t’i mbrojë. Mund të kuptohet se ndoshta as kjo nuk është detyrë formale e tyre, por në mungesë të “responderit të parë“ (Policisë së Kosovës) dhe “responderit të dytë” (EULEX-it), ata ushtarë ishin të vetmit dhe është dashur të ndërhynin.

Ka arsye të kritikohet misioni i KFOR-it në Kosovë, sidomos për mosmbrojtjen e gazetarëve dhe për dështime tjera në kryerjen e mandatit për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë. Por politikanët e Kosovës, pa marrë parasysh a komunikojnë përmes rrjeteve sociale apo brenda institucioneve, duhet të përmbahen nga fyerjet, përqeshjet dhe sulmet verbale ndaj forcave të NATO-s. Politikanët e përgjegjshëm duhet ta dinë se ata nuk janë analistë, as komentatorë dhe nuk e gëzojnë nivelin e njëjtë të lirisë së shprehjes pasi kanë përgjegjësi të madhe për fjalën e tyre.

Janë të nxituara, tepër emocionale, e mbi të gjitha të rrezikshme pohimet se “ne nuk kemi nevojë për KFOR-in“ apo se “askush nuk i ka thirrur të veprojnë në veri, sepse njësitë e policisë së Kosovës do të ishin vetë në gjendje të kryenin punën“. Edhe thirrjet se “nëse nuk mund ta mbrojnë kufirin e Kosovës le të shkojnë, se i mbron FSK-ja” janë të dëmshme dhe të rrezikshme. Dhe thirrjet e tilla nuk duhet të jenë reagim në pohimet e Beogradit se “nëse KFOR-i nuk është në gjendje t’i mbrojë serbët në Kosovë e Metohi, atëherë le të thotë dhe i mbron ushtria e Serbisë“. Sepse këto janë skenarë që çojnë në luftë dhe ky nuk është vetëm një konstatim taktik.

Situata e tashme është një sfidë e madhe e sigurisë. Por gjithçka është një skenar politik. Nga të gjitha anët janë kalkulime politike. Por kalkulimet e tilla ndikojnë në situatën në terren dhe në rritjen e tensioneve që në një moment mund edhe të mos jetë e mundur të kontrollohen. Sikur ndodhi në mars të vitit 2004 kur, mes të tjerash, protestues shqiptarë u përleshën për herë të parë edhe me forcat e KFOR-it.

Edhe ushtarët e KFOR-it në Kosovë janë viktima të kalkulimeve politike në Bruksel dhe në disa kryeqytete. Për shkak të kalkulimeve të tilla shpesh nuk thuhet në publik e vërteta e plotë. Sepse nuk duan t’i dalin kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe kur e dinë se ai nuk e thotë të vërtetën. Sepse e konsiderojnë akoma si “partner i sinqertë“ edhe kur ai i quan “gënjeshtarë dhe hipokritë”. Për shkak të kalkulimeve politike edhe e vërteta bëhet viktimë. Dhe vështirë se do të thuhet ndonjëherë edhe për kidnapimin e tre policëve nga Kosova nga ana e forcave speciale të Serbisë. Edhe pse, sipas deklaratave publike, bazuar në përdorimin e termeve gjuhësore, lihet përshtypja sikur ata policë “u arrestuan” dhe kjo shkon në favor të Serbisë. Në të njëjtën mënyrë edhe BE-ja përdor të njëjtin term. Dhe nuk duhet t’u besojmë as NATO-s e as BE-së kur thonë se “termet gjuhësore nuk kanë rëndësi”, sepse këto dy organizata i japin rëndësi ekstreme pikërisht zgjedhjes së termeve gjuhësore.

Në komunikim me praninë ndërkombëtare në Kosovë, dhe për praninë ndërkombëtare në Kosovë, duhet të ketë një racionalitet. Sado e vështirë të jetë një gjë e tillë në kushtet të tensioneve ekzistuese, duhet bërë një ndarje mes kritikave të drejta dhe respektit për rolin që kanë pasur, e kanë dhe do ta kenë edhe në të ardhmen. Sepse Kosova, sado që ka përparuar, është larg nga momenti që të jetë e gatshme të jetë krejtësisht e pavarur edhe nga aspekti i sigurisë dhe mbrojtjes. Prandaj NATO-ja do të jetë dhe duhet të jetë në Kosovë derisa të vijë momenti që Kosova të hyjë në NATO. E ky është një proces më shumë politik sesa i sigurisë.