“Naser Eshtrefi”, të hënën jepen fjalët përfundimtare

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot është mbajtur seancë gjyqësore për rastin e therjes me thikë të Angel Petkovski në lagjen Gjorçe Petrov më 19 maj të vitit 2014-të, në të cilin i akuzuar është Naser Eshterfi. Sot mbaroi faza e nxjerrjes së provave, pas të cilës vijojnë fjalët përfundimtare, raporton Portalb.mk.

Gjykatëse: Diana Gruevska – Ilievska
Prokuror: Darko Jakimovski
Avokat mbrojtës: Ivanka Jakimovska
Avokatët e të dëmtuarve: Branko Kuzmanoski dhe Goce Nestoroski

Në fillim të seancës, gjykatësja njoftoi në lidhje me raportin e rikonstruimit të rastit dhe materialet të cilat i kanë dorëzuar institucionet përgjegjëse.

“Rikonstruimin e ka kryer MPB, Byroja për Siguri Publike, Njësia për Ekspertizë dhe Analiza, ata kanë dorëzuar dosje nga rikonstruimi dhe njoftim për mënyrën dhe rolin e tyre. Kanë dorëzuar 53 fotografi (nga versionet e tregimit të të akuzuarit Naser Eshtrefi dhe dëshmitarit Sasho Petkovski). Palëve do t’u jepen materialet që t’i shohin. Në dosje gjithashtu ka skicë nga ekspertiza me tregim të plotë të vendit. Regjistrim digjital. Janë dorëzuar 9 CD, nga një kopje do t’u jepen palëve”, tha gjykatësja Gruevska – Iilievska.

Ajo tha se Gjykata ka dorëzuar njoftim deri te ekspertët e Mjekësisë Ligjore dhe psikiatri, që të tregojnë nëse kanë të shtojnë diçka pas rikonstruimit.

“Pas rikonstruimit ekspertët e Mjekësisë Ligjore dhe psikiatri (të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes kur është bërë rikonstruimi), u është dërguar njoftim, nëse mbeten në deklaratat e tyre, apo dëshirojnë që t’i ndryshojnë apo plotësojnë. Gjithashtu, kemi kërkuar mendim prej tyre se cili version i tregimit ishte më i besueshëm, ai i të akuzuarit Naser Eshtrefi, apo i dëshmitarit Sasho Petkovski”, theksoi gjykatësja.

Palët nuk patën prova shtesë dhe me seancën e sotme u mbyll procedura e provave, ndërkaq për në seancën e radhës janë caktuar fjalët përfundimtare. Pas tyre, sipas procedurës, shpallet aktgjykimi. Seanca e radhës është caktuar për të hënën.

Prokuroria vazhdon ta akuzojë Naserin sipas të njëjtave pretendime, gjegjësisht sipas të cilit dhe u dënua me 14 vjet burg për vrasje me paramendim, ndërkaq mbrojtja thotë se vepra është kryer pa paramendim, në afekt dhe në mbrojtje të nevojshme. Naseri tha se nuk ndjehet fajtor.