MPPS: Mbi 320.000 pensionistë do ta marrin pensionin e qershorit para kohe, pagesa etapore fillon nesër

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) kumtoi se pagesa e pensioneve të qershorit do të fillojë nesër dhe do të zhvillohet në mënyrë etapore, për mbrojtje më të madhe të pensionistëve nga KOVID-19.

Marrja e pensioneve përmes filialeve të bankave, për pensionistët të cilët nuk përdorin kartela, do të realizohen në katër grupe, sipas vlerës së pensionit:

– Të premten, 26 qershor pagesa e pensioneve me vlerë deri në 11.000 denarë;

– Të hënën, 29 qershor, pagesa e pensioneve me vlerë prej 11.001 -14.000 denarë;

– Të martën, 30 qershor, pagesa e pensioneve me vlerë prej 14.001-18.000 denarë

– Të mërkurën, 01 korrik, pagesa e pensioneve me vlerë prej mbi 18.001 denarë.

Sipas MPPS, pensionistët të cilët përdorin kartelë pagesore të lidhur me llogarinë në të cilën lëshohet pensioni, me paratë mund të disponojnë nga e premtja, 26 qershor. Ata mund ta marrin pensionin e qershorit në bankomat ose t’i përdorin mjetet për pagesë në rrjetin tregtar.

“Mbi 320 mijë pensionistë edhe këtë pension do ta marrin para kohe. MPPS tregon se pensionet janë të sigurta në llogaritë e shfrytëzuesve, sistemi pensional është stabil dhe funksionon pa probleme. Procesimi etapor i pensioneve do të mundësojë zbatim të masave për kufizim të ekspozimit të qytetarëve me qëllim të parandalimit dhe përhapjes së koronavirusit, duke e marrë parasysh që pensionistët si grup i moshuar janë më të rrezikuar”, thekson Ministria.

Njëherit apelon, pensionistët ta respektojnë orarin e pagesave, sepse pagesa etapore është bërë me qëllim që të zvogëlohet rëmuja para bankave dhe mundësia për rrezikim të shëndetit personal dhe publik.

“Përkujtojmë në obligimin për mbajtje të maskës e cila i mbulon hundën dhe gojën, si dhe mbajtja e distancës së paku dy metra gjatë pritjes së rendit dhe brenda në banka”, citon MPPS./MIA