Gjahu i shtrigave ndaj shqiptarëve dhe faktori ndërkombëtar

Arbër Çeliku

Është hipokrizi nga ana e faktorit ndërkombëtar, që të bëjë në vazhdimësi gjahun e shtrigave ndaj shqiptarëve, jo vetëm në të ashtuquajturën përndjekje të kriminelëve të hamendësuar të luftës, por edhe në rrafshin makro-shoqëror neve po na bëhen padrejtësi të papara, që bien ndesh me Kartën e KB-së për të drejtat themelore dhe liritë e njeriut (1948), si dhe me të gjitha Konventat Evropiane të kësaj natyre si ajo e Lisbonës, Kopenhagës, Berlinit dhe kështu me radhë, e që këto padrejtësi janë:
– enklavat serbe në Kosovë (më pak se 3%) gëzojnë të drejtën e gjuhës, kulturës, simboleve, përfaqësimin institucional, ndërsa shqiptarët në RMV (mbi 40%) i kanë këto të drejta të cunguara;
– Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe nuk negociohen kufijtë e një shteti të pavarur dhe sovran, sepse kjo bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare;
– trojet shqiptare janë ndarë si pasojë e padrejtësive historike dhe kurrë nuk është mbajtur një samit ndërkombëtar në kohë të sodit për revidimin e politikave të vjetra;
– lufta e Kosovës, e Maqedonisë dhe e Luginës kanë qenë lufta legjitime, të pastra dhe me karakter çlirimtar, jo lufta pushtuese;
– Gjermania për dëmet historike ka paguar 2 herë radhazi dëmshperblim, kurse Serbia as që është vënë në agjendën e BE-së.
Nuk them se këta komandantët tanë janë lule për t’u marrë erë, por nuk duhet ngatërruar gjërat, nëse ata duhet të ndëshkohen, jo për krime lufte, por për dëmin që ia shkaktuan popullit të vet me politikat diferencuese, regresin ekonomik, dëbimin e të rinjve nga vendi, degradimin institucional, arsimor dhe shëndetësor, dhe populli shqiptar anembanë e ka filluar tashmë ndëshkimin me votë, faktori ndërkombëtar duhet të na ndihmojë neve shqiptarëve me ngritjen e një sistemi të mirëqenë të së drejtës dhe, në asnjë mënyrë, të mos merret me gjahun e shtrigave ndaj shqiptarëve…