MPB publikon fotografi të reja nga sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Sot ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, ndërsa kanë bërë të ditur se katër sulme ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë ndodhur në tri ditët e fundit në pjesën veriore të vendit, ku janë përdorur armë e mjete të ndryshme.

Në konferencë u bë e ditur se Policia e Kosovës në sulmin e parë kanë hasur në rrugë iriqë metalikë që përdoren për dëmtimin e gomave të automjeteve, në atë të dytin zyrtarët janë sulmuar me gurë, në sulmin e tretë kanë dëgjuar katër-pesë breshëri, diku rreth 30 fishekë, ndërsa në të katërtin janë përdorur granata dore dhe AK 47.

Sveçla në deklaratën para gazetarëve tha se tashmë po shihet se angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës dhe posaçërisht i Policisë që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë për Serbinë dhe grupe të caktuara që mbështeten drejtpërdrejtë nga Serbia.

Sipas tij, këto sulme as nuk do t’i ndalin e as nuk do të frikësojnë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka bërë të ditur se në veturat që u sulmuan mëngjesin e sotëm, ka pasur zyrtarë policorë shqiptarë, por edhe serbë.

Ai shtoi se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të qetë dhe të sigurt, pasi “në të gjitha pjesët e territorit të Republikës së Kosovës janë zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kanë pajisje të nevojshme për ta garantuar rendin dhe ligjin”.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme ka dërguar edhe fotografi, përmes së cilave shihen sulmet që janë kryer ndaj Policisë së Kosovës.