Moti i keq godet Italinë, një person humb jetën

Një person ka humbur jetën në një stuhi që goditi zona të caktuara në Itali gjatë fundjavës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kushtet e pafavorshme të motit kapluan zonën nga veriu deri në jug të vendit. Në disa zona kishte vërshime dhe u shkaktuan dëme materiale.

Mediat lokale njoftuan se lumi Panaro, i cili rrjedh përmes rajonit Emilia-Romagna, ka dalë nga shtrati i tij. Shumë vende u vërshuan dhe rreth 400 njerëz duhej të braktisnin shtëpitë e tyre.

Është raportuar se një person 51-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë në një kanal.

Edhe Siçilia u prek nga vërshimet dhe rrëshqitjet e tokës. Për shkak të erës së fuqishme, u pezullua trafiku i trageteve me Ishujt Aeolian.

Gjithashtu, është raportuar se në pjesët e larta të rajonit Alto-Adige në veri të vendit, lartësia e borës në disa vende në fundjavë arriti nga 80 deri në 140 centimetra, dhe për këtë arsye u bllokua qasja në disa vendbanime.

Gjithashtu u paralajmërua se për shkak të reshjeve të mëdha të borës në rajon, mund të paraqitej ndonjë ortek.

Luca Zaia, kreu i rajonit verior Veneto, tha se situata është kritike edhe në provincën Belluno të prekur nga vërshimet, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos shkojnë në rajon.

Shërbimi zjarrfikës shpëtoi rreth 20 njerëz për shkak të vërshimeve në kanalin Caveggiara në qytetin e Torri di Quartesolo.

Niveli i ujit të lumit Tiber, i cili rrjedh përmes Romës, gjithashtu po rritet, kështu që qeveria lokale ka mbyllur shëtitoret përgjatë lumit.