Mos e vidhni protestën! Nëse nuk ju pëlqen, themelojeni tuajën!

Hysamedin FERAJ
Ka shumë mënyra me iu ikë sa më larg detyrave qytetare si në rastin “revolucionit të flamingove”:
– Lëreni rrëzimin e diktaturës së personalizuar të Ramës dhe gjithë klasës së vjetër politike!
– Në vend të saj le të shkojmë më larg: le të rrëzojmë Sorosin, le të ndalojmë Zherard Kushnerin – dhëndrrin e Trumpit, le të çlirojmë Palestinën, të ndalojmë Iranin nga prodhimi i armëve bërthamore, të hapim ngushticën e Hormuzit, të ndalojmë kthimin e Kinës në superfuqi…
– Edhe Enver Hoxha i shpalli luftë dy superfuqive që i kishte larg, ndërsa miqësi popujve socialistë jugosllavë dhe popullit kapitalist grekë që i kishte afër.
Pra deterritorializimi dhe riterritorializmi është një mënyrë e dështimit të një lëvizjeje konkrete, të gjallë.
– “Lufta” kundër armikut larg është më e lehtë! Edhe një fëmijë kur është larg një banditi muskuloz nis dhe e shan plot trimëri!
– “Lufta” kundër “armikut” afër është e rrezikshme: shefi i drejpërdrejtë të heqë nga puna etj.; minstri kritikohet më lehtë, kryeministri edhe më lehtë. Edhe më lehtë se Rama, kritikohen Trumpi, Sorrosi etj. Madje kështu dukemi më trima! Sa më i madh armiku, aq më i madh të duket vetja. Sa më larg armiku, aq më i pakët rreziku.
– Mirë është të mendohet në të kundërt: kontributi më i madh që mund të jepet kundër të keqes globale është kryerja e detyrës lokale, që mund të shërbejë si shembull më pas për çdo lokale që përbën globalen!
– Kështu edhe në shkallë globale “revolucioni i flamingove” po riterritorializohet, përdoret për qëllime e territore të lokalizuara brenda një politike, ideologjie etj.: disa kundër Trumpit, disa kundër Sorosit etj.
– “Revolucioni i falmingove” ka një emërues të fuqishëm të përbashkët: “SHQIPËRIA NUK SHITET!” Për këtë duhet rrëzuar diktatura e personalizuar e Ramës dhe gjithë klasës së vjetër politike. Parimi është Shqipëria nuk është në shitje, jo kujt i shitet e kujt jo! Nuk ka rëndësi nëse blerësi është Kushneri, Sorosi apo dikush tjetër! Shqipëria nuk shitet!
Nëse “falmingot” kryejnë këtë mision dhe kështu frymëzon të bëjnë dhe të tjerët në botë për rastet e ngjashëm që kanë – ky është kontributi dhe frymëzimi global që mund të japë.
– Nëse dikush mendon se kjo protestë duhet të rrëzojë Sorosin, Trumpin, Putinin, Kinën, të çlirojë Ukrainën, Palestinën, ujgurët, kurdët, ose t’i çlirojë rusët nga ukrainasit etj., – la ta marrë vetë atë nismë e mobilizim, jo ta përdorë dhe ta zhvendosë protestën e tashme nga kundër Ramës në kundër çdo padrejtësie tjetër nëpër botë. Këtë strategji të fundit e do Rama dhe klasa e vjetër politike: edhe këta lihen rehat, edhe problemet e botës nuk i zgjidhim. Fitore e dyfishtë e tyre, humbje e trefishtë e “flamingove”!
Mos vidhni protestën! Themelojeni tuajën! Dhe në fakt ju uroj sukses në luftën globaliste kundër globalizmit! Do të ishte shfaqje interesante e luftës mes globalistëve!