Mirë se vini kurbetçarë!

Arbër Çeliku
Nga parullat demagogjike deri te dhënia dysh mërgimtarëve tanë nga ana e politikës

Sapo plaste sezoni i verës, në vlugun e ardhjes masovike të kurbetçarëve tanë, nëpër komunat shqiptare, thuajse në hyrje të çdo vendbanimi tonë, vareshin lart, nga njëri cep te cepi tjetër i rrugës, për vite me radhë, parullat e mëdha me shkronjat e arta: MIRË SE VINI KURBETÇARË!

Ky akt kishte efekt të dyfishtë: Nga njëra anë shprehte ngrohtësinë që buronte nga zemra e çdo kalimtari të rastit, më së shumti të vetë kurbetçarëve, kurse nga ana tjetër, hapte të korrat e komunave dhe vetë shtetit në mbushjen e arkës së buxheteve përkatëse.

Kurbetçarët i deshëm të gjithë: ne, politika dhe shteti. Dashni qyqare do të thosha unë me këtë rast. Sa madje edhe vetë kurbetçartë filluan të besojnë në këtë dashni, duke mos lënë manifestim kulturor dhe vjetor tradicional pa i ftuar Romeot tanë të politikës dhe duke mos lënë pa i dekoruar këta rrufjanë për “arritjet e tyre kolosale jetësore”, të cilat konsistojnë vetëm në hajdutëri dhe kusarllëk permanent.

Dashnia e kurbetçarëve u shpërblye me tradhti. Ata duaji rrufjanët tanë të politikës, këta duaj “vëllezërit” tanë të përbashkët, sa mbetën ngarkuar deri në grykë dhe tani po pjellin sokakëve, duke na i lënë kopilët pas porte.

Po të mos ishte regjistrimi i popullsisë, tradhtia nuk do të ishte zbuluar kurrë. Madje, “dashnia” do të ishte shtuar, sa disa profiterë do të vazhdonin vrullshëm me ndërtimin e soliterëve, fabrikave, hidrocentraleve dhe zonave ekonomike qytet më qytet, duke nisur nga Kërçova ime e deri në Kumanovë, në emër të kurbetçarëve, mërgatës, atdheut.

Tash edhe po të mos shkruajmë në hyrje të vendbanimeve tona, nga njëri cep i rrugës deri te tjetri, po vezullojnë shkronjat e zeza: SHPORRUNI KURBETÇARË!

Mesazh i bukur për të vdekur politikisht dhe kombëtarisht…