Ministrja spanjolle thotë se lufta në Gazë është “gjenocid i vërtetë”

Ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles, tha se konflikti në Gazë është një “gjenocid i vërtetë”, pasi marrëdhëniet midis Izraelit dhe Spanjës janë përkeqësuar pas vendimit të Madridit për të njohur Shtetin Palestinez.

Por, akuzat për gjenocid janë hedhur poshtë nga Izraeli në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), duke thënë se po bën luftë kundër grupit militant Hamas që e sulmoi më 7 tetor.

Bëhet e ditur se komenti i Robles i bëri jehonë një tjetër komenti të zëvendëskryeministres spanjolle, Yolanda Diaz, e cila gjithashtu e përshkroi konfliktin në Gazë si gjenocid, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

“Ne nuk mund ta injorojmë atë që po ndodh në Gazë, e që është një gjenocid i vërtetë”, tha Robles.

Gjithashtu ajo tha se njohja e Palestinës nga Madridi nuk ishte lëvizje kundër Izraelit.

“Kjo nuk është kundër askujt, nuk është kundër shtetit izraelit, nuk është kundër izraelitëve, të cilët ne i respektojmë”, tha ministrja.

Ndryshe, Spanja së bashku bashku me Irlandën dhe Norvegjinë kanë njoftuar se më 28 maj do ta njohin Shtetin Palestinez, gjë që shkaktoi përgjigje të zemëruar nga Izraeli i cili menjëherë tërhoqi ambasadorët e tij nga tre kryeqytetet.

Siç raportohet, ICJ e ka urdhëruar Izraelin të ndalojë menjëherë sulmin ushtarak në Rafah të Gazës.