Ministria e Shëndetësisë në Iran kërkon anulimin e lutjeve të së premtes

Ministria e Shëndetësisë në Iran u kërkoi autoriteteve iraniane sot të anulonjnë lutjet e së premtes dhe çdo tubim tjetër për shkak të frikës së koronavirusit të ri, transmeton Anadolu.

Agjencia iraniane e lajmeve IRNA citoi zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë, Kianoush Jahanpour duke thënë se të gjitha format e tubimeve duhet të anulohen deri në njoftimin e mëtejshëm.

Ai shtoi se 15 laboratorë mjekësorë do të hapen brenda javës së ardhshme për të diagnostikuar infeksionet e reja të koronavirusit.

Të mërkurën, ministria njoftoi se 4 persona të tjerë kanë vdekur në Iran nga koronavirusi, duke e çuar në 19 numrin e vdekjeve që nga shpërthimi i virusit.

Koronavirusi i njohur si Covid-19 ka ngritur alarm global, ku përveç Kinës, epiqendra e shpërthimit, janë raportuar mbi 2.700 vdekje ndërsa ekspertët e shëndetit po luftojnë për të gjetur vaksinën kundër koronavirusit.

Jashtë Kinës, virusi është përhapur në më shumë se 30 vende, përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Singaporin, Francën, Rusinë, Spanjën dhe Indinë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e Covid-19 e ka shpallur emergjencë ndërkombëtare shëndetësore.