Ministri i Jashtëm polak: Rusia do të mposhtet nëse e sulmon NATO-n

Rusia do të përfundojë e mposhtur nëse kryen sulm kundër NATO-s, por aleanca ushtarake duhet ta përforcojë mbrojtjen gjithsesi, tha ministri i Jashtëm i Polonisë, Radek Sikorski, të enjten në Parlamentin e vendit.

Sikorski i bëri këto komente duke e përshkruar drejtimin e ri që ka marrë Qeveria e kryeministrit Donald Tusk. Ai ua shpjegoi botës dhe qytetarëve të vendit të vet se prioritetet e Polonisë kanë ndryshuar, pasi Tusk erdhi në pushtet në dhjetor.

Ai tha se Polonia dëshiron të kthehet në grupin e vendeve të cilat e vendosin agjendën e Bashkimit Evropian (BE).

Polonia, anëtare e NATO-s dhe e BE-së, ndodhet në krahun lindor të të dyjave dhe kufizohet me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën.

Ajo është rrugë e rëndësishme për furnizimin e Ukrainës me armë nga Perëndimi, në luftën e saj kundër Rusisë.

Partia Ligji dhe Drejtësia e udhëhoqi Poloninë nga viti 2015 deri në vitin 2023, dhe – derisa ruajti marrëdhëniet me SHBA-në – ajo kishte qëndrime mospajtuese me Bashkimin Evropian, të cilin e akuzonte se po përpiqej t’ua zhvishte pushtetin vendeve individuale, si dhe me Gjermaninë, nga e cila u pushtua dhe u okupua Polonia gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Qëllimi i fjalimit të tij ishte të tregojë se Polonia dëshiron marrëdhënie të mira me Uashingtonin dhe Brukselin dhe se duke qenë lidere në BE, i ndihmon asaj të jetë partnere më e vlefshme e Shteteve të Bashkuara.

Ai theksoi edhe rëndësinë e miqësisë me Gjermaninë dhe e akuzoi Qeverinë e kaluar se kishte zgjedhur konfrontimin./REL