Abbas Araghchi, ministri i Jashtëm i Iranit, ka shkruar në platformën X të premten se kalimi për të gjitha anijet tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit është shpallur plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit.
Ai shtoi se kalimi nëpër ngushticë do të bëhet sipas itinerarit të koordinuar të njoftuar nga Organizata e Porteve dhe Detarisë së Iranit.
“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, sipas itinerarit të koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Organizata e Porteve dhe Detarisë së Republikës Islamike të Iranit”, thuhet në postim.
Pas njoftimit të Araghchit ka reaguar edhe presidenti amerikan, Donald Trump.
“Irani sapo ka njoftuar se Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur dhe gati për kalim të plotë. Faleminderit!”, ka shkruar Trump në Truth Social.
Ngushtica e Hormzit transporton rreth 20% të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë. Nafta bie me 10% pas rihapjes së Ngushticës së Hormuzit.



