“Miku i Vuçiqit, Edi Rama, nuk mund të na tregojë se me kë ka filluar historia e luftës në Kosovë”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një konference live me gazetarët i është përgjigjur edhe pyetjeve lidhur me rrëzimin e Qeverisë Hoti dhe kërkesat e vazhdueshme nga Kosova për miratimin e një rezolute nga Kuvendi për të njohur e dënuar mizoritë serbe.
Rama thotë se qeveria Hoti ka firmosur në emër të Kosovës, por sipas tij, s’ka më zi se sa kur përfaqësimi ndërkombëtar kthehet në politikë të brendshme.
Ndërkohë, më tej Rama ka thënë se lufta për liri për Kosovën në Kosovë e Shqipëri nuk nis nga Presidentja në detyrë apo Kryeministri në pritje.
“Nuk e shikoj dhe nuk dua ta shikoj kështu këtë gjë, pasi ajo është qeveria e Kosovës dhe ka përfaqësuar Kosovën dhe nuk ka më zi për një vend sesa përfaqësimi i vet ndërkombëtar të kthehet në politikë të brendshme, sepse vendi bëhet qesharak. Partia Socialiste dhe Kuvendi ka kaluar 15 rezoluta, dhe Lufta e Kosovës për liri nuk fillon me Vjosa Osmanin presidente në detyrë, as me Albin Kurtin kryeminstër në pritje, as me mua. Ky është një rast, ku politika e jashtme shërben si miell për politikën e brenshme dhe ky është gabim, shumë gabim. I ka kushtuar shumë Kosovës, ky mutacion dramatik, përzierja e politikës së jashtme me politikën e brendshme”, tha Rama.
Kjo deklaratë e pakuptimtë e Ramës ka shkaktuar revoltë, prandaj kanë pasuar shumë reagime të shumta, nga të cilat e veçojmë komentin e Erion Çuçit.
“Historia e luftës në Kosovë më së paku ka lidhje me Edi Ramën e Aleksandar Vuçiqin. Albin Kurti është pjesë e historisë së UÇK-së, kurse miku i Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, Vuçiqi, ka luftuar kundër UÇK-së. Prandaj miku i Vuçiqit, nuk mund të na tregojë se me kë ka filluar historia e luftës në Kosovë”, shkruan Çuçi.